Profesori amerikan Edward P. Joseph ka folur për situatën politike në Kosovë, proceset institucionale dhe përgjegjësinë e liderëve politikë në vend.
Joseph ka deklaruar në Politiko në Kanal 10 se Kosova nuk duhet të humbë kohë në zgjedhje apo procese politike që nuk burojnë nga vullneti i plotë i popullit, duke theksuar se vendi ka nevojë për stabilitet dhe vendimmarrje të shpejtë institucionale.
Ai ka shtuar se përgjegjësia për situatën politike nuk bie vetëm mbi një palë, por mbi të gjithë liderët politikë në Kosovë.
Sipas tij, kryeministri Albin Kurti, si udhëheqës i shumicës parlamentare dhe figurë qendrore politike, mban peshën më të madhe të përgjegjësisë, por nuk është i vetëm në këtë proces.
Joseph ka theksuar se të gjitha partitë dhe liderët politikë duhet të angazhohen për të tejkaluar bllokadat dhe për të siguruar funksionimin normal të institucioneve.
Ai ka nënvizuar gjithashtu se Kosova duhet të përqafojë plotësisht përgjegjësitë e saj ndaj të gjitha komuniteteve, përfshirë komunitetin serb, si pjesë e funksionimit demokratik dhe shtetëror.
Sipas tij, kjo është një detyrë që lidhet me stabilitetin e brendshëm dhe me rrugën e Kosovës drejt integrimit euro-atlantik.
Joseph ka theksuar se nëse Kosova dëshiron të përshpejtojë rrugën drejt NATO-s dhe integrimeve euro-atlantike, duhet të krijojë dinamikë politike pozitive dhe të tregojë përgjegjësi të plotë institucionale.
Ai ka shtuar se kjo është një detyrë që mund të realizohet vetëm përmes bashkëpunimit të të gjitha forcave politike dhe shoqërisë në përgjithësi.






