Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar aktakuzën lidhur me vrasjen e civilëve shqiptarë të familjes Jashari në Prekaz të Skenderajt.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, e cilësoi këtë si një hap të rëndësishëm në përmbushjen e mandatit ligjor të institucionit që ai drejton.
Sipas Isufajt, kjo është aktakuza e parë që lidhet me vrasjen e civilëve të familjes Jashari në Prekaz, njofton Klankosova.tv.
“Prokuroria Speciale ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm në përmbushjen e mandatit të saj ligjor, duke dorëzuar aktakuzën në një çështje me rëndësi të veçantë për institucionet e drejtësisë dhe opinionin publik”, tha Isufaj.
Ai theksoi se aktakuza është rezultat i një pune profesionale dhe të bazuar në prova, ndërsa tash i takon gjykatës të vlerësojë aktakuzën dhe provat e paraqitura.
“Tani është në kompetencën e gjykatës që të vlerësojë aktakuzën dhe provat e paraqitura në përputhje me ligjin dhe standardet e një gjykimi të drejtë. Por si Prokurori Speciale, jemi të bindur se në këtë rast është punuar me kujdes të shtuar, me qëllim që pretendimet e ngritura në aktakuzë të provohen para gjykatës. Rëndësia e kësaj aktakuze qëndron edhe në faktin se ajo dëshmon përkushtimin e vazhdueshëm për të trajtuar krimet e luftës dhe për të kërkuar përgjegjësi penale, pavarësisht kompleksitetit të këtyre rasteve dhe kohës së kaluar nga kryerja e këture rasteve”, tha Isufaj.
Në fund, Isufaj theksoi edhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar të Prokurorisë Speciale, duke përmendur partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar, Europolin dhe Eurojustin.






