Varrimi me nderime shtetërore të kriminelit të luftës, Ratko Mlladiq, në Serbi ka nxitur anulimin e vizitës së planifikuar të Komisioneres për Zgjerim të BE’së, Marta Kos, në Beograd.
Në një postim në X, Kos thotë se glorifikimi që po i bëhet atij në Serbi është kundër vlerave të BE-së dhe tha se këto vlera të Unionit nuk janë të negociueshme.
“Ratko Mladiq u dënua për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Kthimi i eshtrave të tij në Beograd i rikujton Europës faqet më të errëta të historisë sonë të kohëve të fundit. Glorifikimi që po shoqëron vdekjen e tij është në kundërshtim me vlerat mbi të cilat ndërtohet rruga drejt BE-së. Kjo rrugë kërkon përballje me të kaluarën, pajtim të sinqertë dhe respekt për viktimat e krimeve të luftës. Vlerat që mbështesin të ardhmen tonë të përbashkët nuk janë të negociueshme. Në këtë kontekst, kam vendosur të mos e realizoj, për momentin, vizitën time të planifikuar në Serbi”, ka shkruar ajo.
Për këtë çështje më herët ka reaguar edhe ministri për Çështje Europiane i Irlandës, Thomas Byrne, vendi i të cilit udhëheq me Presidencën e BE’së.
Aeroplani me trupin e pajetë Ratko Mlladiqit, i cili vdiq më 27 gusht në Hagë, arriti të enjten, më 3 shtator, në aeroportin “Nikola Tesla” të Beogradit. Në aeroplan, përveç anëtarëve të familjes, ndodheshin edhe ministri i Drejtësisë i Serbisë, Nenad Vujiq, dhe dy bashkëluftëtarë të Mlladiqit.






