Isa Mustafa: Pse LDK duhet ta sjellë qeverinë e VV-së në 80 vota?

- Advertisement -

Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit politike dhe mundësinë e bashkëpunimit ndërmjet LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje

Në një deklarim për IndeksOnline, Mustafa ka thënë se oferta e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, nuk ka qenë shqetësimi i tij kryesor.

Sipas tij, brenga qëndron te gatishmëria e LDK-së për të kontribuar që qeveria e VV-së të sigurojë 80 vota në Kuvend.

“Më së paku më ka interesuar oferta e Kurtit. Ajo çfarë më ka brengosë ishte dhe është, pse LDK duhet të angazhohet për ta sjellë qeverinë e VV-së në 80 vota, ashtu siç po shprehen?!”, ka deklaruar Mustafa.

Ai ka ngritur pikëpyetje edhe për ruajtjen e identitetit politik të LDK-së, duke theksuar se partia e tij është e pozicionuar në qendrën e djathtë dhe pjesë e Partisë Popullore Evropiane (EPP).

“Si pranon LDK të humb identitetin e saj ideologjik të qendrës së djathtë (dhe të EPP) për të qeverisur me një parti e cila në çfarëdo varianti do të kishte 3/4 e qeverisë dhe kryeministrin me politika të dëshmuara të majta: skema sociale, shtesa për fëmijë, pako mbështetëse”, është shprehur ai.

Mustafa ka vënë në pikëpyetje edhe efektin që, sipas tij, do ta kishte një qeverisje e tillë për vendin. “Për çfarë do t’i shërbente Kosovës një pushtet i tillë qeverisës me dy të tretat?”, ka pyetur ish-kreu i LDK-së.

Deklaratat e Mustafës vijnë në një kohë kur debati për bashkëpunimin ndërmjet LVV-së dhe LDK-së është rikthyer në qendër të zhvillimeve politike në vend.

Të ngjashme

Të fundit