Inspektorati në aksion: Fillon mbikëqyrja e udhërrëfyesve turistik në Kosovë – ata që s’kanë licencë do të dënohen deri në 9 mijë euro

- Advertisement -

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka filluar mbikëqyrjen e veprimtarisë së udhërrëfyesve turistikë në Republikën e Kosovës.

Vetëm sot, inspektime janë kryer në regjionet e Prishtinës, Prizerenit dhe Obiliqit.

Kjo po bëhet me qëllim të parandalimit dhe evidentimit të ushtrimit të paligjshëm të veprimtarisë së udhërrëfyesve turistikë pa licencë.

Ushtrimi i veprimtarisë së udhërrëfyesit turistik në kundërshtim me dispozitat ligjore përbën kundërvajtje dhe dënohet me gjobë prej 3,000 deri në 9,000 euro.

Njoftimi i plotë:

IQMT në aksion: Gjobitje dhe masa ndëshkuese ndaj udhërrëfyesve turistikë pa licencë

Bazuar në Ligjin Nr. 08/L-074 për Turizmin dhe Udhëzimin Administrativ Nr. 09/2024 për kushtet, kriteret dhe procedurat e regjistrimit dhe ushtrimit të veprimtarisë së udhërrëfyesve turistikë, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) po realizon mbikëqyrjen e veprimtarisë së udhërrëfyesve turistikë në Republikën e Kosovës.

Gjatë ditës së sotme, inspektimet janë duke u zhvilluar në regjionet e Prizrenit, Prishtinës dhe Obiliqit, me qëllim të parandalimit dhe evidentimit të ushtrimit të paligjshëm të veprimtarisë së udhërrëfyesve turistikë pa licencë.

Në kuadër të mbikëqyrjes, është evidentuar angazhimi i udhërrëfyesve jo-vendas nga kompani të ndryshme turistike të vendeve të rajonit, të cilët, në rastet kur veprojnë pa licencën e nevojshme, janë në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi. Përveç aspektit ligjor, angazhimi i personave të palicencuar mund të ndikojë edhe në mënyrën e prezantimit të historisë, trashëgimisë kulturore dhe vlerave reale të lokacioneve turistike që vizitohen në Republikën e Kosovës.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, përmes IQMT-së, mbetet e përkushtuar në mbikëqyrjen e kësaj veprimtarie dhe do të ndërmarrë masat përkatëse ndaj operatorëve turistikë, personave juridikë, bizneseve individuale dhe personave fizikë që ushtrojnë ose mundësojnë ushtrimin e veprimtarisë së udhërrëfyesit turistik pa licencë dhe në kundërshtim me ligjin e Turizmit.

Ushtrimi i veprimtarisë së udhërrëfyesit turistik në kundërshtim me dispozitat ligjore përbën kundërvajtje dhe dënohet me gjobë prej 3,000 deri në 9,000 euro.

IQMT u bën thirrje të gjithë operatorëve turistikë që angazhimin e udhërrëfyesve ta bëjnë në mënyrë të ligjshme, duke respektuar kriteret dhe procedurat e përcaktuara. Në të kundërtën, ndaj subjekteve që konstatohet se veprojnë në kundërshtim me ligjin do të ndërmerren masat ndëshkuese përkatëse.

Republika e Kosovës posedon vlera të rëndësishme historike, kulturore dhe turistike. Për këtë arsye, vizitorët duhet të marrin informacione të sakta, profesionale dhe të besueshme për vendet që vizitojnë, nga persona të përgjegjshëm dhe të licencuar.

Kosova ka udhërrëfyes turistikë vendorë të licencuar dhe profesionalë. IQMT inkurajon kompanitë turistike që t’i angazhojnë udhërrëfyesit vendorë të licencuar, duke kontribuar kështu në informimin e drejtë të vizitorëve, respektimin e legjislacionit dhe promovimin e denjë të trashëgimisë dhe vlerave turistike të Republikës së Kosovës.

Të ngjashme

Të fundit