Sipas të dhënave të publikuara nga Inspektorati, nga gjithsej 72 inspektime të kryera, në 34 raste është marrë vendim për ndalim të punimeve, ndërsa janë lëshuar edhe 22 vërejtje dhe vetëm 16 raste kanë kaluar pa vërejtje.
Në dy raste janë dhënë leje për vazhdim të punës pas përmbushjes së kushteve.
Ky zhvillim vjen në kuadër të aksionit 15-ditor të nisur nga Ministria e Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, në bashkëpunim me Inspektoratin e Punës, një ditë pasi një punëtor humbi jetën në vendin e punës – rasti i tetë i tillë këtë vit.
Aksioni është ndërmarrë në sektorë me rrezikshmëri të lartë, përfshirë ndërtimtarinë, dhe është shtrirë në disa qytete të Kosovës.
Sipas raportit, numri më i madh i ndalimeve është evidentuar në Ferizaj, pasuar nga Fushë Kosova, Gjilani dhe Mitrovica e Jugut.






