2.7 C
New York
Wednesday, November 25, 2026

Buy now

Kurti numëron miliona euro investime në KEK, teksa qytetarët presin dimrin mes reduktimeve dhe faturave që ua “djegin” xhepin

- Advertisement -

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka publikuar bliancin e mandatit e dytë qeverisës duke e cilësuar Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) si një histori suksesi me qindra miliona euro investime dhe fitime neto, derisa qytetarët dhe bizneset në vend po përballen me një realitet tjetër në prag të dimrit: ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike, varësi të lartë nga importi i shtrenjtë dhe fatura që ndër vite janë rritur vazhdimisht.

Në dokumentin zyrtar të publikuar së fundi nga Zyra e Kryeministrit, “Të arriturat kryesore të Qeverisë Kurti 2 (2021–2026)”, sektori i energjisë dhe KEK-u zënë vend qendror në kapitullin e ekonomisë, transmeton lajmi.net.

Ekzekutivi liston këto rezultate kryesore për KEK-un dhe energjinë:

  • Investime kapitale: 500 milionë euro të dedikuara për modernizimin dhe rehabilitimin e termocentraleve, si dhe për ndërtimin e një parku diellor me kapacitet mbi 100 MW (ky i fundit figuron ende në fazën e tenderimit).

  • Rehabilitimi i njësive: Nisja e tenderimit për rehabilitimin dhe modernizimin e njësisë A3 të Termocentralit “Kosova A”, në vlerë mbi 137 milionë euro, të financuar nga mjetet vetanake të KEK-ut.

  • Modernizimi i “Kosovës B”: Një investim prej 57.87 milionë eurosh — i cilësuar nga Qeveria si më i madhi në mbi 40 vjet — ku përfundimi i punimeve në turbinën e njësisë B2 ka shtuar 35 MW kapacitet prodhues, i ka zgjatur jetëgjatësinë për 20 vjet dhe ka ulur konsumin e qymyrit për 12 për qind, ndërsa modernizimi i njësisë B1 thuhet se është në proces.

  • Rikthimi në treg dhe auditimi: Rikthimi i KEK-ut si furnizues në treg 12 vjet pas privatizimit të distribucionit, rikthimi i auditimit nga Zyra Kombëtare e Auditimit pas më shumë se pesë vitesh, si dhe themelimi i ndërmarrjes së re publike, Korporata e Ruajtjes së Energjisë (KRE Sh.A.), për operimin e baterive 170 MW nga marrëveshja me MCC-në.

  • Subvencionimet dhe veriu: Ndarja e 120 milionë eurove për subvencionimin e faturave (për konsumin deri në 800 kWh dhe bizneset) dhe ndalimi i pagesës së energjisë së shpenzuar në katër komunat veriore nga qytetarët e pjesës tjetër të vendit, një barrë që qeveria e vlerëson në 348 milionë euro që nga paslufta.

Realiteti në terren: Reduktime dhe gjenerator edhe për vetë KEK-un

Megjithatë, kjo pasqyrë optimiste e dokumentit qeveritar bie ndesh me përditshmërinë e javëve dhe muajve të fundit në Kosovë. Gjatë tetorit dhe nëntorit 2026, Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) ka publikuar pothuajse çdo ditë orare të ndërprerjeve të rrymës në dhjetëra komuna — nga Prishtina, Peja e Prizreni, deri në Mitrovicë, Gjilan e Ferizaj. Këto reduktime, të cilat në shumë zona po zgjasin nga 5 deri në 8 orë brenda ditës, zyrtarisht po arsyetohen me “punime të domosdoshme për sigurinë e sistemit, mirëmbajtje preventive dhe konvertim të tensionit”.

Ironikisht, nga pasiguria e furnizimit nuk ka shpëtuar as vetë prodhuesi kryesor i rrymës në vend. Në fillim të nëntorit 2026, mediat raportuan se vetë KEK-u ka iniciuar procedurat për blerjen e një agregati (gjeneratori) me vlerë 26,550 euro.

Në të njëjtën kohë, njësitë prodhuese të KEK-ut po hyjnë në sezonin dimëror me probleme teknike dhe vonesa.

Teksa njësia B1 e “Kosovës B” vazhdon të jetë jashtë funksionit për shkak të punimeve në elektrofiltra — vonesa të cilat u konfirmuan edhe nga Bashkimi Evropian në mesin e nëntorit — njësia A4 e “Kosovës A” u rikthye në operim vetëm më 13 nëntor, pas rënieve të njëpasnjëshme nga sistemi, ndërsa rikthimi i njësisë A5 mbetet ende në pritje.

 

Të ngjashme

Të fundit