6.7 C
New York
Thursday, November 14, 2024

Buy now

“I diskriminoi, i përqau, i ofendoi”, opozita kritikon ashpër shtesat e rrezikshmërisë për policët e Kosovës

- Advertisement -

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar të premten për shtesat e rrezikshmërisë për anëtarët e Policisë së Kosovës. Shtesat e prezantuar nga kreu i ekzekutivit janë shoqëruar me kritika të shumta nga opozita. Pakënaqësi për shumën e shtesave ka shprehur edhe Sindikata e Policisë së Kosovës me argumentin se ato janë më të ulëta në krahasim me shtesat e mëparshme.

Prezantimi i këtyre shtesave nuk i ka pëlqyer ish-drejtorit të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, i cili i ka quajtur “skandaloze”. Qalaj përmes një reagimi në Facebook ka thënë se shtesat e rrezikshmërisë janë më të vogla se në të kaluarën.

“Paramendoni shtesat për rrezikshmëri për Policin patrullues nga 140 euro sa i kanë marrë në qeverisjet e kaluara tani 60 euro me propozimin e Qeveris Kurti pra 80 euro më pak. Shtesat për rrezikshmëri për Policët hetues nga 180 euro sa i kanë marrë në qeverisjet e kaluara tani 75 euro me propozimin e qeveris Kurti pra 105 euro ma pak. Shtesat për rrezikshmëri për Policët kufitarë nga 140 euro sa i kanë marrë në qeverisjet e kaluara tani 100 euro me propozimin e Qeveris kurti pra 40 euro më pak”, ka shkruar Qelaj në Facebook.

Shumën e shtesave të ndara nga qeveria e ka kritikuar edhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti. Sipas tij, këto shtesa janë dukshëm më të ulëta sesa ato që kanë qenë më parë.

“Shtesat për zyrtarët e policisë, të propozuara nga Kurti pas 10 muajve vonesë, janë dukshëm më të ulëta krahasuar me shtesat e mëparshme”

“Kjo vonesë dhe ulja e tyre përbëjnë nëpërkëmbje të përkushtimit të të gjithë burrave dhe grave në Policinë e Kosovës që janë në shërbim të rendit, ligjit dhe sigurisë kombëtare në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

Ndërsa shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se shtesat e prezantuara nga Qeveria janë një ndarje e kategorive sipas tekeve të kryeministrit.

Tahiri akuzoi Kurtin se ky vendim diskriminon dhe fyen policinë për shkak të dallimeve që janë bërë në ndarjen e shumave.

“Qeveria dhe Kryeministri Kurti gjetën rastin t’ua ndajnë shtesat policëve. Unitetin dhe frymën policore, të përkrahur fuqishëm nga uniteti qytetarë në përkrahje të këtij institucioni model, e ndau në kategori sipas tekeve të tij. I diskriminoi, i përqau, i ofendoi, me dallimet që bëri sipas përqindjeve kuturu. Ndoshta, kjo ka të bëjë me hallin e Kurtit për zhvendosje të vëmendjes nga pranimi i propozimit të Asociacionit”, tha ai mes tjerash.

Pakënaqësi edhe nga Sindikata e Policisë

Të pakënaqur me propozimin e qeverisë janë deklaruar edhe nga Sindikata e Policisë së Kosovës. Kreu i kësaj sindikate, Imer Zeqiri, ka deklaruar për TëVë1 se vlera e paraqitur nga ekzekutivi është më e ulët se ajo që kishte më herët.

“Definitivisht ne nuk jemi të kënaqur me atë nivel të shtesave për rrezikshmërinë, sepse është qind për qind, në disa raste edhe më shumë se qind për qind më e ulët se sa ajo që kemi pasur më herët”, ka deklaruar Zeqiri.

Prezantimi i shtesave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar të premten për shtesat e rrezikshmërisë për anëtarët e Policisë së Kosovës.

Qeveria ka ndarë shumën e shtesave në shtatë kategori, duke u bazuar në pozitat e zyrtarëve brenda Policisë së Kosovës.

“Shtesat për njësitë elitare, për njësinë speciale intervenuese, për njësinë për ndërhyrje të shpejtë, dhe për njësinë për mbrojtje të afërt, janë nga 150 euro shtesë mbi pagën bazë”, ka thënë Kurti në mbledhjen e radhës të Qeverisë.

Ai ka thënë se shtesa prej 100 eurosh do t’i ndahen pjesëtarëve të patrullave kufitare, ndërsa pjesëtarët e patrullave kufitare do të marrin 75 euro shtesë në muaj.

Sa i përket njësive operative K-9 dhe njësisë së eksplozivëve dhe deminimit, shefi i qeverisë ka thënë se do të marrin 120 euro shtesë.

“Pjesëtarët e patrullave kufitare do të përfitojnë nga 100 euro në muaj, ndërsa pjesëtarë të hetuesisë nga 75 euro shtesë në muaj. Ekipet reaguese dhe patrullat, që përbëjnë numrin më të madh të Policisë së Kosovës, do të marrin nga 60 euro shtesë në muaj, kurse policëve që angazhohen për sigurinë e objekteve dhe ata në menaxhim të operacioneve, do t’iu ndahen nga 50, respektivisht 40 euro shtesë të rrezikshmërisë”, ka thënë ai. /Nacionale/

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit