Kryeministri Albin Kurti dhe ish presidentja Vjosa Osmani, si dhe subjektet e tyre politike, nuk kanë reaguar deri më tani për rastin e Fehim Salit, i arrestuar nën dyshimin për spiunazh dhe bashkëpunim me shërbimin serb të inteligjencës, BIA.
Sali, i cili dyshohet se për një periudhë të gjatë kishte bashkëpunuar me BIA-n, kishte pasur qasje në dy institucionet më të larta të shtetit.
Ai kishte qenë anëtar i Këshillit Konsultativ për Komunitete pranë Presidencës, pasi ishte emëruar në nëntor të vitit 2022 nga presidentja e atëhershme, Vjosa Osmani.
Në një fotografi të publikuar nga Presidenca, Sali shihet pranë Osmanit gjatë një aktiviteti të Këshillit Konsultativ për Komunitete.
Ndërkohë, ai ishte pjesë edhe e një aktiviteti ku kryeministri Albin Kurti kishte pritur përfaqësues të komunitetit goran në zyrën e tij.
Takimi ishte zhvilluar për çështje që lidhen me punësimin, arsimin, përdorimin e gjuhëve dhe mbështetjen institucionale për komunitetin goran.
Sipas Prokurorisë Speciale, Sali dyshohet se ishte rekrutuar nga BIA dhe se kishte pasur kontakte të vazhdueshme me zyrtarë të këtij shërbimi.
Prokuroria dyshon gjithashtu se ai u kishte ofruar informacione zyrtarëve të BIA-s, në dëm të interesave të Republikës së Kosovës.
Përkundër faktit se i dyshuari kishte qenë i pranishëm në aktivitete dhe struktura të institucioneve më të larta të shtetit, deri më tani nuk ka pasur reagim publik nga Kurti, Osmani apo nga partitë e tyre politike lidhur me rastin.






