Hektor Beqiri: 2191 ditë padrejtësi ndaj krerëve të UÇK-së, lufta për drejtësi vazhdon

- Advertisement -

Aktivisti Hektor Beqiri ka reaguar në gjashtëvjetorin e paraburgosjes së katër krerëve të UÇK-së në Hagë, duke e cilësuar procesin si të padrejtë dhe të ngarkuar politikisht.

Beqiri ka kujtuar se më 4 dhe 5 nëntor 2020 ishte i pranishëm dhe kishte ngritur zërin kundër asaj që e konsideron padrejtësi ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Ai ka theksuar se, edhe pas 2191 ditësh, bindja dhe përkushtimi për drejtësi nuk janë zbehur, por përkundrazi, mbeten po aq të fuqishme sa në ditën e parë.

Sipas Beqirit, e vërteta mund të vonohet dhe të sfidohet, por nuk mund të zhduket, ndërsa ka shprehur besimin se procesi në Apel do të dëshmojë atë që, siç thotë ai, është besuar që nga fillimi.
Në fund të reagimit, Beqiri ka përcjellë mesazhin: “Liri dhe drejtësi për çlirimtarët!”

Postimi i plotë:

Sot bëhen 6 vjet që kur katër krerët e UÇK-së u paraburgosën në Hagë.

E kur e shoh sot, nga perspektiva e gjashtë viteve që kanë kaluar, gjithçka duket edhe më e pabesueshme: një proces i cili që në fillim ishte i montuar, i padrejtë dhe i ngarkuar politikisht.

Edhe atëherë, më 4 dhe 5 nëntor të vitit 2020, isha aty. Dhe me zë të lartë fola për padrejtësinë që po ndodhte. Nuk heshta atëherë dhe nuk do të hesht as sot.

Sot, pas gjashtë vitesh, ajo padrejtësi që disa nuk dëshironin ta shihnin atëherë, është ulur këmbëkryq në mesin tonë.

Kanë kaluar 2191 ditë që çlirimtarët tanë përballen me një padrejtësi që vështirë se mund të gjejë precedent në historinë e vendeve demokratike.

Por 2191 ditë nuk e kanë zbehur as bindjen tonë, as luftën tonë për drejtësi. Përkundrazi.

Lufta për drejtësi vazhdon të jetë po aq e fuqishme sa ishte ditën e parë.

Sepse liria nuk mund të burgoset.
E drejta nuk mund të mposhtet me procese politike.
Historia nuk mund të rishkruhet me akuza të fabrikuara.
Dhe sakrifica e një populli nuk mund të njolloset nga trillimet.

Ne besojmë se e vërteta është një dhe e vetme. Ajo mund të vonohet, mund të sfidohet, mund të përballet me padrejtësi, por nuk mund të zhduket.

Prandaj, edhe sot, pas gjashtë vitesh, besoj fuqishëm se e drejta do ta gjejë rrugën e saj dhe se Apeli do ta dëshmojë atë që ne e kemi besuar dhe mbrojtur që nga dita e parë: se e vërteta dhe drejtësia, në fund, duhet të triumfojnë.

LIRI DHE DREJTËSI PËR ÇLIRIMTARËT ✊

Të ngjashme

Të fundit