U.D. Presidentja Haxhiu vizitoi Bashkësinë Islame të Kosovës: Festa e Kurban Bajramit është festë e shenjtë e besimit islam dhe kjo na kujton vlerat e sakrificës, solidaritetit, mirësisë, respektit e përkushtimit për vendin
Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka vizituar Bashkësinë Islame të Kosovës, me rastin e Festës së Kurban Bajramit.
Me këtë rast, U.D. Presidentja Haxhiu ka uruar myftiun Naim Tërnava dhe bashkëpunëtorët e tij, për Festën e Kurban Bajramit.
“Me këtë rast, më lejoni që të shpreh urimet e mia edhe për të gjithë besimtarët myslimanë, por po ashtu edhe për shqiptarët kudo që janë brenda Kosovës, por edhe jashtë saj për Festën e Kurban Bajramit”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu.
Ajo më tej tha se Festa e Kurban Bajramit është festë e shenjtë e besimit islam dhe kjo na kujton vlerat e sakrificës, solidaritetit, mirësisë, respektit e përkushtimit për vendin.
“Vlera këto, të cilat duhet t’i mbajmë lart e më lart dhe rreth së cilave duhet të jemi të bashkuar edhe si institucione, edhe si qytetarë, por edhe si shoqëri”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu.
Ajo ka falënderuar Bashkësinë Islame të Kosovës, myftiun Naim Tërnava, për rolin pozitiv që kanë pasur në vazhdimësi në shoqërinë tonë, për ndikimin pozitiv, për të luftuar dukuri negative me të cilat përballet shoqëria jonë, por gjithashtu edhe për ndihmën e qytetarëve në nevojë.
“Është pikërisht Bashkësia Islame e Kosovës, përmes Shoqatës “Bereqeti”, përmes bashkëpunëtorëve e partnerëve, që kanë ndihmuar mijëra familje gjatë gjithë kësaj periudhe kohore”, pohoi U.D. Presidentja Haxhiu.
Ajo më tej tha se Myftiu e dha sot edhe një mesazh dhe më njoftoi që ka pasur një ligjëratë, me të cilën ka kërkuar që gjuha e urrejtjes, sulmet, gjuha linçuese të ndalohet, sepse ajo nuk ka vend në shoqërinë tonë, prandaj, e falënderova edhe për këtë aspekt.
“Më lejoni që t’ju uroj edhe një herë të gjithëve, edhe juve mediave, sot për Festën e Kurban Bajramit, uroj më të mirat për qytetarët dhe për secilën familje!”, tha U.D. Presidentja Haxhiu






