Haxhiu takon kryetarët e komunave shqiptare në Maqedoninë e Veriut, diskutojnë bashkëpunimin ndërkufitar

- Advertisement -

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, gjatë vizitës zyrtare në Maqedoninë e Veriut, është takuar me kryetarët e komunave me shumicë shqiptare, me të cilët ka diskutuar për forcimin e bashkëpunimit, përmirësimin e shërbimeve për qytetarët dhe krijimin e mundësive të reja për të rinjtë.

Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu ka theksuar lidhjet e ngushta ndërmjet shqiptarëve në Kosovë dhe atyre në Maqedoninë e Veriut, duke vënë në pah se këto marrëdhënie janë pjesë e jetës së përditshme.

Ajo ka përmendur shkëmbimet e studentëve ndërmjet universiteteve në Prishtinë dhe Tetovë, si dhe lidhjet familjare që shtrihen në të dyja anët e kufirit.

Haxhiu ka rikujtuar edhe solidaritetin e treguar nga familjet shqiptare në Maqedoninë e Veriut gjatë pranverës së vitit 1999, kur ato hapën dyert e shtëpive të tyre për qytetarët e dëbuar me dhunë nga Kosova gjatë luftës.

“Edhe sot, ata që gjetën strehë atë pranverë e kujtojnë me mirënjohje shtëpinë që i priti”, ka shkruar Haxhiu.

Sipas Haxhiut, gjatë takimeve me kryetarët e komunave është diskutuar për nevojat e përditshme të qytetarëve, përmirësimin e shërbimeve komunale dhe krijimin e kushteve që të rinjtë të kenë mundësi të arsimohen dhe të punojnë në vendlindjen e tyre.

Një tjetër temë e diskutimit ka qenë thellimi i bashkëpunimit me komunat e Kosovës përmes projekteve të përbashkëta ndërkufitare dhe përmirësimit të shërbimeve për banorët.

Po ashtu, është diskutuar për mundësitë e shtimit të aktiviteteve të përbashkëta mes të rinjve, shkollave dhe organizatave kulturore nga të dyja vendet.

Haxhiu ka theksuar se lidhjet ndërmjet shqiptarëve janë ndërtuar ndër breza dhe se institucionet kanë përgjegjësi t’i ruajnë e t’i forcojnë ato.

“Këto lidhje i kanë ndërtuar vetë shqiptarët, brez pas brezi. Detyra jonë si institucione është t’i ruajmë dhe t’i forcojmë”, ka shkruar ajo.

Të ngjashme

Të fundit