Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka kritikuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje për votimin kundër kërkesës së saj që drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, të ftohet në Komisionin Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe të Mbrojtjes për të raportuar lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt në Pejë.
Musliu ka kërkuar sqarime për veprimet e Policisë, duke theksuar se llogaridhënia institucionale është e domosdoshme, veçanërisht pas raportimeve se viktima kishte denoncuar kanosje para se të vritej.
Postimi i plotë:
PSE KUNDËRSHTUAN DEPUTETËT E VV-SË TË FTOJMË NË RAPORTIM DREJTORIN E POLICISË PËR RASTIN E VRASJES SE ARLINDA ZEKAJT?
Sot kërkova që drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, të ftohet javën e ardhshme në Komisionin Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe të Mbrojtjes, për të raportuar lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt në Pejë.
Deputetët e Vetëvendosjes votuan kundër kërkesës sime dhe e pamundësuan qe ai te vij e të raportoj.
Kur një grua denoncon kanosjet në Polici dhe pak orë më vonë vritet, a nuk është detyrim i institucioneve të kërkojnë përgjigje dhe të sqarojnë çdo dyshim?
Unë nuk kërkova të paragjykoj askënd. Kërkova që Policia të raportojë, të sqarojë veprimet e saj dhe të ndihmojë në zbardhjen e plotë të rastit.
Llogaridhënia nuk është ndërhyrje në hetime. Është përgjegjësi institucionale.
Nuk mjafton të shprehim ngushëllime pasi ndodh tragjedia. Duhet të kërkojmë përgjegjësi para se tragjedi të tilla të përsëriten.






