Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka thënë se ligji për Gjykatën Speciale, i kthyer në Kuvend nga presidentja, mund të miratohet sërish vetëm nëse siguron 61 vota të deputetëve. Sipas saj, në këtë fazë Kuvendi nuk mund të bëjë ndryshime në përmbajtjen e ligjit.
Haxhiu ka shpjeguar se ekzistojnë dy interpretime juridike për procedurën që duhet ndjekur, ndërsa Komisioni për Legjislacion ka katër javë kohë për ta shqyrtuar çështjen. Ajo ka thënë se, sipas interpretimit të saj dhe disa juristëve, kthimi i ligjit nga presidentja përbën veto, e cila mund të rrëzohet me 61 vota.
“Nëse votojnë 61 deputetë, atëherë ne e përmbysim veton e Presidentes. Nëse jemi më pak, atëherë nuk mund ta përmbysim veton e Presidentes, pra ligji bie”, ka deklaruar Haxhiu në RTK.
Sipas saj, Kushtetuta dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nuk i japin Kuvendit mundësi për të ndryshuar ligjin në këtë fazë, pasi amendamentet mund të bëhen gjatë leximit të parë dhe të dytë. Haxhiu ka bërë të ditur se ka diskutuar me kryetarin e Komisionit për Legjislacion për aspektet kushtetuese dhe ligjore të kësaj çështjeje, duke thënë se është e hapur për t’i dëgjuar edhe interpretimet e tjera juridike.
Ajo ka kritikuar mënyrën se si ishte proceduar nisma për ndryshimin e ligjit, duke vlerësuar se një çështje kaq e ndjeshme duhej të trajtohej me më shumë konsultime dhe profesionalizëm. Duke folur për vendimin e 16 shtatorit në Hagë ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së, Haxhiu e ka cilësuar atë të padrejtë dhe ka kërkuar unitet institucional e politik. Ajo ka vlerësuar si të rëndësishme themelimin e grupit punues për hartimin e një strategjie në mbështetje të ekipeve mbrojtëse.
“Ne kemi thënë që mënyra më e mirë për t’u ballafaquar me këtë padrejtësi është strategjia”, ka thënë Haxhiu. Sipas saj, Kuvendi do t’i adresojë kërkesat që mund të vijnë nga grupi punues, ndërsa ka theksuar se fokusi duhet të jetë te strategjia dhe jo te nismat që mund të mos kenë efekt juridik.
Haxhiu ka thënë se ende nuk ka marrë një qëndrim zyrtar nga përfaqësuesit e PDK-së lidhur me shqetësimet që i kanë pasur për projektligjin dhe arsyet e kërkesës për kthimin e tij.
Ajo ka bërë të ditur se u ka kërkuar të dijë nëse nisma është konsultuar me ekipet mbrojtëse të ish-krerëve të UÇK-së dhe nëse ato kanë dhënë ndonjë propozim.
“Nuk kam një qëndrim zyrtar për këtë. I kam pyetur se cilat janë shqetësimet që ata i kanë për shkak se kanë kërkuar kthim në lexim të tretë të këtij projektligji, ende nuk i kam marrë si të tilla. Kanë thënë që qëndrimet e tyre do t’i japin në Komisionin për Legjislacion”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo ka përsëritur se ligji duhet të ketë efekt juridik dhe të arrijë qëllimin për të cilin propozohet. “Na duhen ligje që e arrijnë qëllimin. E qëllimi është që të ketë drejtësi në shkallën e Apelit”, ka thënë Haxhiu.






