Ahmeti, Kurtit: Kushdo që po të këshillon për ekonomi, po ta bën gropën ty dhe Kosovës

- Advertisement -

Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka kritikuar politikat ekonomike të Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, duke paralajmëruar se ato mund të kenë pasoja të rënda në afatgjatë.

Në një status në Facebook, Ahmeti ka thënë se, ndonëse rritja e pagave, shtesat për fëmijë dhe pensionet janë lajme që gëzojnë qytetarët, në të njëjtën kohë çmimet po rriten dhe përballimi i kostos së jetesës po bëhet gjithnjë e më i vështirë.

Ai ka ngritur shqetësimin për nivelin e inflacionit në Kosovë, duke theksuar se vendi duhet ta kuptojë pse ka një nga normat më të larta të rritjes së çmimeve në Evropë, pavarësisht se përdor euron si valutë.

Sipas Ahmetit, një pjesë e inflacionit është i importuar, por një pjesë e konsiderueshme vjen edhe si pasojë e politikave të gabuara shtetërore.

Ahmeti ka vlerësuar se këto politika po krijojnë vetëm qetësi sociale afatshkurtër, ndërsa po e thellojnë varësinë nga importi dhe po e dobësojnë ekonominë vendore.

“Me thënë shkurt e shqip, ky buxhet dhe këto politika po blejnë qetësi sociale afatshkurte. Po subvencionojmë importe dhe po i ngrisim çmimet. Nuk po krijojmë kapital dhe pasuri të re brenda shtetit”, ka shkruar ai.

Në fund, Ahmeti i është drejtuar drejtpërdrejt kryeministrit Kurti, duke e paralajmëruar për pasojat e këtyre politikave.

“Kryeministër, kushdo që po të këshillon për ekonomi, ose nuk po din, ose po ta bën gropën. Por bashkë me vete, po na bën gropën edhe krejt Kosovës”, ka shkruar Ahmeti.

Të ngjashme

Të fundit