Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka mbajtur fjalim në seancën solemne në shenjë nderimi për kongresistin amerikan, Eliot Engel.
Me këtë rast, U.D. Presidentja Haxhiu, ka thënë se sot, në këtë seancë solemne, kujtojmë dhe nderojmë një njeri që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës, duke shtuar më tej se sot e nderojmë dhe e kujtojmë mikun besnik, por edhe ligjvënësin e drejtë amerikan, i cili në ditët më të vështira të historisë sonë të re, bashkë edhe me shumë kongresistë dhe senatorë të tjerë amerikanë, ngriti zërin fuqishëm kundër shkeljes së të drejtave tona, represionit dhe persekutimit nga regjimi serbo-jugosllav.
“Për 32 vite, 16 mandate me radhë, ai shërbeu me ndershmëri dhe vendosmëri në Kongresin Amerikan. E drejtoi Komitetin për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve. Përgjatë gjithë karrierës së tij politike ai nuk reshti së kërkuari drejtësi për popullin e Kosovës, duke shpërfaqur kështu virtyte të larta njerëzore të një politikani të rrallë dhe të një njeriu të madh”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.
Ajo më tej tha se në vitet e errëta, kur shqiptarët e Kosovës po vuanin nën regjimin e Millosheviqit dhe bota ende hezitonte të vepronte, Eliot Engel ngriti zërin.
“Ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara shtrihen oqeane dhe mijëra kilometra. Në hartë jemi larg, në madhësi dhe në fuqi jemi të pakrahasueshëm, por në jetën e kombeve të shtypura, largësia më e madhe është qëndrimi larg vëmendjes dhe vendimmarrjes. Vendet e vogla shpesh duhet të trokasin gjatë në dyert e botës që të dëgjohen. Në shumë raste ato dyer mbeten të mbyllura deri sa bëhet tepër vonë. Rajoni jonë e njeh mirë këtë pritje, por kur ke miq sikurse kongresisti Eliot Engel hapja e dyerve të tilla është e mundshme dhe është historike”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.
Në fjalën e saj në Kuvendin e Kosovës, U.D. Presidentja Haxhiu tha se më 11 qershor të vitit 1996, kongresisti demokrat arriti ta sigurojë mbështetjen e demokratëve dhe të republikanëve për çështjen e Kosovës.
U.D. Presidentja Haxhiu, tha se ata ia dërguan Presidentit Bill Klinton një letër, në të cilën ndër të tjera, thuhej: “Ne besojmë se ka ardhur koha që gjendjes në Kosovë t’i kushtohet vëmendja që e meriton. Kjo do të thotë se Shtetet e Bashkuara duhet t’i kushtojnë Kosovës nivelin më të lartë të vëmendjes që tani, në mënyrë që situata atje të mos përkeqësohet edhe më tej”.
Ajo më tej shtoi se disa javë më vonë, më 26 korrik 1996, në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së u shqyrtua Rezoluta 155 për Kosovën, tekst të cilin vetë Engel e kishte hartuar dhe e cila dënonte represionin në Kosovë, kërkonte rikthimin e të drejtave qytetare e politike të popullit tonë dhe rikthente Kosovën në vëmendjen e Washingtonit.
“Në raport me çështjen e Kosovës, Engel e kuptoi se kauzat e drejta kërkojnë unitet dhe bashkimin edhe të republikanëve edhe të demokratëve. Prandaj, suksesshëm arriti të sigurojë mbështetje të gjerë në Kongres. Dy vite pas rezolutës, më 17 mars 1998, në Kongresin amerikan, Engel foli për përshkallëzimin e dhunës në Kosovë dhe kërkoi që represioni nga regjimi gjenocidal i Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës të mos tolerohej në asnjë mënyrë. Ai e futi Kosovën në rend dite në Washington”, pohoi U.D. Presidentja Haxhiu.
Ajo më tej shtoi se në ato vite të rënda, Kosovës nuk i hynin në punë reagimet e vonshme, por njerëzit që flisnin me kohë dhe aty ku fjala ka peshë, e sipas U.D. Presidentes Haxhiu, Engel ishte njëri prej atyre njerëzve.
“Gjatë vizitës së tij në Kosovë, në shtator të vitit 1999, ai shprehi qartë dëshirën që populli jonë të jetojë i lirë dhe i pavarur. Kur e shpallëm pavarësinë më 17 shkurt 2008, ai ishte ndër mbështetësit më të vendosur të njohjes ndërkombëtare. Por, ajo që e bëri të veçantë nuk ishte vetëm ai moment historik, ishte fakti se nuk u largua pas tij. E dinte dhe e thoshte hapur, se pavarësia nuk është fundi i një rruge, por fillimi i një pune të vështirë. Kështu vazhdoi të qëndrojë pranë Kosovës, duke mbështetur forcimin e institucioneve demokratike, zhvillimin e forcave tona të sigurisë dhe thellimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Edhe në periudhat kur rruga jonë ishte e vështirë dhe sfidat ishin shumë të mëdha, zëri i tij mbeti i pandryshuar”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.
Sipas saj, ky nuk ishte angazhim diplomatik i zakonshëm, ishte besnikëri ndaj një miqësie të përzemërt.
“Eliot Engel nuk e donte Kosovën nga larg, nga deklarata të buta dhe nga vizita ceremoniale, ai e mbrojti atë me argumente, me votë, me prezencë dhe me besim të palëkundur në drejtësinë e kauzës sonë. Ishte i vetëdijshëm për çmimin e qëndrimeve të tilla dhe megjithatë qëndroi”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.
Ajo më tej ka shtuar se sot, kur e kujtojmë, ne nuk e kujtojmë vetëm kongresmenin Engel, para së gjithash e kujtojmë njeriun, që zgjodhi të jetë në anën e së drejtës në kohë shumë të vështira për popullin, por edhe për vendin tonë.
“Trashëgimia e Engel nuk do të qëndrojë vetëm në arkivat e historisë sonë. Ajo jeton në miqësinë e fortë dhe strategjike mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, miqësi që ai e kultivoi me durim dhe me bindje. Ai jeton para së gjithash, në kujtesën e qytetarëve tanë, të cilët e dinë se liria e tyre ka pasur mbrojtës të vërtetë përtej kufijve tanë”, theksoi U.D. Presidentja.
Ajo tutje shtoi se jeta e tij u shua aty ku edhe u formësua, në Bronks, i rrethuar nga familja dhe nga njerëzit e tij të dashur. Por, sipas U.D. Presidentes, ndikimi i tij do të ndjehet gjatë në zemrën e çdo shqiptari dhe do të kujtohet përherë me nderim të thellë dhe me dinjitet, si njeri që Kosovës iu gjend pranë kur kishte më së shumti nevojë.
U.D. Presidentja Haxhiu tha se Eliot Engel e deshi Kosovën, prandaj Kosova nuk do ta harrojë kurrë atë.






