Ish- seputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti, duke e akuzuar për qasje populiste dhe mungesë vullneti për zgjidhje të çështjeve shtetërore.
Sipas Haxhiut, Kurti ka ndryshuar sjelljen e tij ndaj mediave, duke shtuar deklaratat publike kohët e fundit, ndryshe nga periudha e mëparshme kur, sipas tij, shmangej nga prononcimet.
Ai e cilësoi Kurtin si një politikan që mendon për zgjedhje dhe jo për zgjidhje, duke paralajmëruar për, siç tha, tendenca autoritare.
Haxhiu theksoi se dështimi për zgjedhjen e presidentit, pavarësisht mbështetjes së madhe elektorale, është i qëllimshëm dhe pjesë e një skenari politik që, sipas tij, po e çon vendin drejt bllokadës institucionale.
Ai shtoi se vetëm 48 orë para afatit ligjor për zgjedhjen e presidentit, Kurti ka nisur të përmendë emra në publik pa organizuar takime të përbashkëta me partitë parlamentare për arritjen e konsensusit.
Në fund, Haxhiu u bëri thirrje qytetarëve që të mos e shohin votën si përfitim momental, por si përgjegjësi për të ardhmen e vendit, duke theksuar se, sipas tij, një qasje e tillë politike nuk mund të zgjasë pafundësisht.
Postimi i plotë:
Ka disa ditë që Kurti ka marrë hov me deklarata pompoze para mediave, ndryshe nga disa muaj më parë, kur shmangej dhe ikte nga prononcimet dhe kamerat. Një politikan që mendon vetëm për zgjedhje, e jo për zgjidhje, tregon qartë qëllimin e tij autoritar.
Me 51 për qind të votave dhe të mos arrijë të zgjedhë presidentin, ky është një dështim i qëllimshëm. Vetëm ai e di skenarin pse po punon drejt dështimit të shtetit, një skenar që po e realizon me lehtësi, fatkeqësisht, dhe që madje po aplauzohet në Serbi.
Megjithatë, unë besoj në dashurinë e këtij populli për vendin, jo për liderë autoritarë. Durimit do t’i vijë fundi, besoj shumë shpejt, dhe kjo klasë politike e papërgjegjshme dhe e korruptuar do të largohet nga skena politike.
Nuk mund të blihet vota në çdo zgjedhje, sepse vota është e shenjtë. Secili, kur e jep votën, duhet të mendojë për shtetin ku dëshiron të ndërtojë të ardhmen e fëmijëve të tij, jo për përfitime momentale.
Deklarata se qëllimi i tij është të shkojë në zgjedhje derisa të sigurojë 80 deputetë është e rrezikshme.
Sot, vetëm 48 orë para skadimit të afatit ligjor për zgjedhjen e presidentit, ka filluar me lojën e emrave në publik, pa organizuar asnjëherë një takim të përbashkët të partive politike parlamentare shqiptare për të gjetur konsensusin e nevojshëm.
Kurti ka filluar lojëra politike populiste, pasi për katër muaj nuk tregoi as vullnetin më të vogël për bashkëpunim me partitë e tjera për zgjidhjen e çështjes së presidentit. Tani mundohet të flasë në publik për masa të pamenduara, duke pretenduar se ua ofroi mundësinë opozitës për zgjedhjen e presidentit, pa asnjë marrëveshje apo siguri që kandidatët e propozuar do të votoheshin.
Ky është skenari i tij i radhës për ta mbajtur shtetin në bllokadë dhe në dështim.






