Deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj tha se siguria kombëtare rrezikohet kur nuk mbrohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe aleanca me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Haradinaj tha në seancën plenare të Kuvendit se nëse dështojmë ta mbrojmë UÇK-në, rrezikojmë sigurinë tonë kombëtare.
“Siguria jonë kombëtare rrezikohet kur ne nuk e mbrojmë vlerën tonë, që është në themel të ekzistencës sonë – UÇK-në. Për cilëndo arsye që e gjejmë ne e dështojmë ta mbrojmë UÇK-në, rrezikojmë sigurinë tonë kombëtare, lirinë tonë, sovranitetin tonë”, tha ai.
“Më vjen keq të shtoj, por është ashtu, po ashtu, se, nëse nuk e mbrojmë aleancën me Amerikën dhe NATO-n, prapë rrezikojmë sigurinë tonë kombëtare. Kush ka dilema në këtë, nuk jeton në këtë shekull”, shtoi Haradinaj.
Ai tha se është turp që të dyshohet se çfarë ka në themel të ekzistencës së shtetit.
“Mbështesim çdo veprim që është në mbështetje të UÇK-së, të krerëve të UÇK-së. Sado vonë, më mirë vonë se kurrë, më mirë pak se hiç. Ama marre që kemi ardhë në këtë ditë ku kemi ardhë sot, e që kemi kaq dilema të brendshme se çka është në themel të ekzistencës sonë. E më vjen marre unë që jam UÇK dhe duhet me ua thënë këto fjalë”, tha Haradinaj.
Ai tha se vendi mbrohet edhe duke bërë “opozitë të vërtetë”.
“Duhet të bashkohemi kundër keqqeverisjes Kurti, kundër kapjes së shtetit, kundër korrupsionit të këtij njeri, kundër krejt përçarjes që ia bën këtij vendi”, tha Haradinaj.






