Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza tha se pas funksionalizimit të plotë të institucioneve Kosova duhet të ketë vendosmëri politike dhe pjekuri shtetërore në çështjet që prekin themelet e shtetit.
Ai në foltoren e Kuvendit të Kosovës falenderoi deputetët për votimin e rezolutës së përbashëkt dhe ligjit për Dhomat e Specializuara për të cilin tha se e kthen në binarë mandatin e Gjykatës Speciale e cila sipas tij ka devijuar nga mandati dhe besimi i dhënë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës para më shumë se një dekade.
Ai tha se Kosova nuk ia ka deleguar askujt sovranitetin, as Dhomave të Specializuara, e as ndonjë trupi tjetër gjykues.
“U bën disa ditë që Kosova iu rikthye normalitetit institucional, por ky normalitet nuk do thotë se kanë përfunduar sfidat e vendit tonë, përkundrazi pikërisht në këto momente kur institucionet funksionojnë me përgjegjësi të plotë na kërkohet vendosmëri politike, pjekuri shtetërore dhe qëndrime të qarta për çështjet që prek themelet e shtetit. Dhe një prej çështjeve kryesore që po prek themelet e shtetit është procesi gjyqësor në Hagë. Ky Kuvend i ka ndërmarrur disa hapa të rëndësishëm për ta përmbushur përgjegjësinë për çka i falenderoj deputetët e Kuvendit të Kosovës. E kemi një rezolutë të miratuar me 99 vota të deputetëve, e kemi një ligj të miratura me 88 vota të deputetëve që rikthen në binarë mandatin e Dhomave të Specializuara të cilat kanë dalë nga mandati që Kuvendi i Kosovës ia kishte besuar dhe dhënë para më shumë se një dekade. Kosova nuk e ka deleguar sovranitetin e vendit, as Dhomave të Specializuara, asnjë trupi gjykues dhe askujt tjetër”, tha ai.






