Haradinaj: Kurti po kërkon “viktimë” për krizën politike, Aleanca do të protestojë

- Advertisement -

Daut Haradinaj nga Aleanca ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, lidhur me situatën politike në vend dhe mosvazhdimin e seancës së Kuvendit.

Haradinaj në “Jehona Politike” ka thënë se Kurti, sipas tij, po kërkon një “viktimë” apo “shkaktar” për situatën aktuale, në mënyrë që përgjegjësinë për krizën politike ta bartë te të tjerët.

“Ai bën hajgare tash, me kë mundet, se është humorist i mirë, bile shumë i ngjason atij Mister Binit. Ai e di saktësisht pse nuk e thërret seancën. Ajo kohë ka ikur, ka marrë kohë për ta çuar vendin në zgjedhje. Ai po kërkon një viktimë, një shkaktar, që të dalë para opinionit publik e të thotë: ‘Për shkak të kësaj…’. Mua më vjen keq pse LDK-ja po hyn në këtë kurth”, tha Haradinaj.

Ai e akuzoi Kurtin se gjatë qeverisjes së tij vendi është përballur vazhdimisht me kriza politike.

“Ky është ka një krizë pas krize, krizë pas krize, zgjedhje pas zgjedhje”, u shpreh Haradinaj.

Haradinaj foli edhe për mënyrën se si Aleanca dhe opozita duhet të reagojnë ndaj qeverisë, duke paralajmëruar protesta dhe forma të tjera të reagimit qytetar.

Sipas tij, protesta nuk nënkupton vetëm tubimet në sheshe, por edhe forma të tjera të presionit publik, përfshirë veprime simbolike ndaj institucioneve.

“Protestimi nuk është me dalë në shesh edhe me i mbajtë tre fjalime. Protestim është edhe ky. Protestim është, për shembull, me shku me i demasku”, tha Haradinaj në “Jehona Politike”.

Të ngjashme

Të fundit