Ish-kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas vdekjes së profesorit dhe politikanit Eqrem Kryeziu.
Përmes një postimi në facebook, Haradinaj ka shprehur pikëllimin për ndarjen nga jeta të Kryeziut, duke e cilësuar atë si një intelektual të shquar, profesor të përkushtuar të letërsisë dhe burrë shteti që la gjurmë në proceset e shtetndërtimit të Kosovës.
“Me Profesorin kemi pasur një miqësi të kahershme dhe respekt të ndërsjellë”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka vlerësuar guximin e Kryeziut për të folur hapur dhe për të përkrahur njerëz e procese përtej vijave partiake, duke e cilësuar atë si një politikan të veçantë në Kosovë.
Haradinaj ka thënë se Eqrem Kryeziu do të kujtohet për profilin e tij intelektual, qytetarinë dhe kontributin në arsim e politikë.
“Eqrem Kryeziu do të kujtohet gjithmonë për profilin e tij intelektual, qytetarinë dhe kontributin e madh në arsim dhe politikë, derisa, ne që e njohëm nga afër do të kujtojmë gjithmonë me respekt të lartë bisedat dhe bashkëpunimin me të. Ngushëllime familjes Kryeziu dhe gjithë atyre që e njohën”, ka shkruar Haradinaj.






