Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, është deklaruar pas skadimit të afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit.
Hamza tha se PDK ka qenë e gatshme për të marrë pjesë në seancën konstituive, ku do të zgjidhej kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit.
“Administrata e Republikës së Kosovës, fatkeqësisht edhe në këtë aspekt që është çështje teknike, do të thotë administrata e Kuvendit i ka dyert e mbyllura. Jemi këtu për të treguar gatishmërinë tonë për pjesëmarrje në seancën konstituive të Kuvendit, kur është dashur të zgjidhet kryetari i Kuvendit dhe nënkryetarët, të konsituohet Kuvendi dhe pastaj të procesohet edhe me zgjedhjen e institucioneve të reja të vendit”, tha Hamza.
Ai e cilësoi moskonstituimin e Kuvendit si mosrespektim të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se afati 30-ditor pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve duhet të respektohej.
“Kemi të bëjmë me mosrespektim të mendimit dhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, që është i saktë dhe preciz, që thotë se Kuvendi i Kosovës duhet të konstituohet 30 ditë pas certifikimit të rezultateve zgjedhore. Kjo është shkelje e Kushtetutës, mosrespektim i aktit më të lartë, cenim i demokracisë dhe marrje në dorë e institucioneve në mënyrë antikushtetuese”, u shpreh Hamza.






