Sipas gazetarit të njohur Matteo Moretto, 26-vjeçari norvegjez e ka në planet e tij një transferim në La Liga, megjithëse ende nuk ka vendosur se cilës skuadër dëshiron t’i bashkohet dhe as kur mund të largohet nga Manchester City.
Moretto ka zbuluar gjatë një programi special të gazetës MARCA se Haaland i merr vendimet për të ardhmen e tij kryesisht duke u bazuar në aspektin sportiv dhe se kampionati spanjoll mbetet një nga objektivat e tij.
Real Madridi dhe Barcelona konsiderohen dy alternativat kryesore në Spanjë për sulmuesin norvegjez, por për momentin nuk ka ndonjë tregues se cili prej këtyre klubeve është favorit për transferimin e tij.
Haaland iu bashkua Manchester Cityt në vitin 2022 nga Borussia Dortmundi dhe që në sezonin e parë fitoi Ligën e Kampionëve, Ligën Premier dhe FA Cup, duke realizuar plot 52 gola në të gjitha garat.
Megjithatë, një transferim i mundshëm në Spanjë nuk pritet të jetë aspak i lehtë, pasi sulmuesi ka kontratë me klubin anglez deri në qershor të vitit 2034.
Norvegjezi rinovoi marrëveshjen në janar të vitit 2025, ndërsa sipas SkySports, kontrata e re eliminoi klauzolat e mëparshme të lirimit, duke ia dhënë Manchester Cityt kontrollin mbi një largim të mundshëm.
Një tjetër faktor që mund të ndikojë në të ardhmen e Haalandit është situata e Manchester Cityt lidhur me shkeljet e pretenduara të rregullave financiare të Ligës Premier.
Më 29 shtator 2026, Liga Premier njoftoi se një komision i pavarur kishte konstatuar një numër të madh shkeljesh financiare nga klubi anglez.
Megjithatë, City ka paraqitur ankesë ndaj vendimit dhe ende pritet një përfundimtar lidhur me sanksionet e mundshme.
Në rast se klubi përballet me dënime të rënda sportive, situata mund të ndikojë edhe në planet e disa prej futbollistëve kryesorë, përfshirë Haalandin.
Për momentin, dëshira e norvegjezit për të luajtur në La Liga mbetet vetëm një mundësi për të ardhmen, ndërsa Real Madridi dhe Barcelona do të duhet të përballen me kërkesat e larta financiare të Manchester Cityt nëse vendosin të tentojnë transferimin e tij.
E sigurt është se një largim i mundshëm i Haalandit drejt Spanjës do të përbënte një nga transferimet më të bujshme në futbollin evropian.








