Futbollisti shqiptar i Zvicrës, Granit Xhaka, ka reaguar publikisht lidhur me hetimet që autoritetet zvicerane po zhvillojnë për një certifikatë të dyshuar të vaksinimit kundër COVID-19.
Prokuroria e Luzernit ka nisur procedurë ndaj Xhakës dhe një mjekeje, me qëllim që të sqarojë rrethanat në të cilat është siguruar dokumenti dhe nëse në këtë rast është kryer ndonjë vepër penale.
Hetimet janë ende në zhvillim dhe, deri në përfundimin e tyre, për personat e përfshirë vlen prezumimi i pafajësisë.
Xhaka ka vendosur të flasë publikisht për çështjen, duke pranuar se gjatë periudhës së pandemisë kishte pasur frikë dhe pasiguri të mëdha lidhur me vaksinimin kundër COVID-19.
Sipas deklaratës së tij, ai kishte zgjedhur të siguronte një vërtetim vaksinimi në vend që shqetësimet dhe dyshimet e tij t’i adresonte përmes kanaleve zyrtare.
“Gjatë ditëve të fundit është raportuar shumë për një çështje nga e kaluara ime. Për këtë dua të shprehem personalisht”, ka thënë Xhaka.
“Në lidhje me vaksinimin kundër COVID-19, në atë kohë isha shumë i pasigurt dhe kisha shqetësime të mëdha. Kisha një mosbesim të thellë ndaj vaksinës dhe isha i përfshirë nga frika dhe pasiguria.”
“Bleva një vërtetim vaksinimi”
Mesfushori ka shpjeguar se në atë gjendje emocionale mori një vendim që sot e konsideron të gabuar.
“Në këtë gjendje emocionale të trazuar, bleva një vërtetim vaksinimi, në vend që pyetjet dhe shqetësimet e mia t’i sqaroja përmes rrugës së paraparë”, ka deklaruar ai.
Xhaka ka pranuar se, duke e parë situatën nga perspektiva e sotme, veprimi i tij nuk ishte i drejtë.
“Sot e kuptoj qartë se ky veprim nuk ishte i drejtë. Ishte një gabim. Më vjen keq”, ka thënë futbollisti.
Xhaka premton bashkëpunim me autoritetet
Kapiteni i Zvicrës ka bërë të ditur gjithashtu se është i gatshëm të marrë përgjegjësi për vendimin e tij dhe të bashkëpunojë plotësisht me organet kompetente gjatë procesit të hetimit.
“Marr përgjegjësinë për këtë vendim, jam i gatshëm të përballem me sqarimin e plotë të çështjes dhe do të bashkëpunoj plotësisht me autoritetet kompetente”, ka deklaruar Xhaka.
Tashmë pritet që hetimet e Prokurorisë së Luzernit të përcaktojnë rrethanat e plota të rastit dhe nëse ekziston bazë për përgjegjësi penale.





