Granit Xhaka merr lajme të mira

- Advertisement -

Granit Xhaka do të rikthehet në përfaqësuesen e Zvicrës gjatë muajit nëntor, pasi Federata Zvicerane e Futbollit ka vendosur ta bëjë sërish të disponueshëm për trajnerin Murat Yakin.

Krahas mesfushorit shqiptar, në kombëtare do të rikthehet edhe sulmuesi Breel Embolo. Të dy futbollistët ishin lënë jashtë për shkak të çështjes së certifikatave të falsifikuara të COVID-19 gjatë viteve 2021 dhe 2022.

Vendimi është marrë nga bordi qendror i federatës zvicerane, pas përfundimit të procedurave ligjore për të dy lojtarët. Në shqyrtimin e rastit, SFV ka marrë parasysh edhe pasojat sportive, pasi Xhaka dhe Embolo kanë munguar në katër ndeshje ndërkombëtare gjatë muajve shtator dhe tetor.

Lajmi tjetër i rëndësishëm për Xhakën është se ai do të vazhdojë të jetë kapiten i Zvicrës. Trajneri Murat Yakin, stafi teknik dhe këshilli i lojtarëve kanë vendosur unanimisht që mesfushori shqiptar ta mbajë shiritin e kapitenit.

Drejtori i kombëtares, Pierluigi Tami, ka bërë të ditur se vendimi është marrë pas një shqyrtimi të kujdesshëm të rrethanave, procedurave ligjore dhe pasojave sportive.

Ndërkohë, Yakin do ta publikojë listën e futbollistëve të ftuar më 5 nëntor, për dy ndeshjet e fundit të Ligës së Kombeve kundër Sllovenisë dhe Skocisë.

Zvicra fillimisht do të luajë ndaj Sllovenisë më 13 nëntor në Maribor, ndërsa më 16 nëntor do ta presë Skocinë në St. Gallen. Pas katër fitoreve në po aq ndeshje, helvetët synojnë ta përmbyllin me sukses këtë fazë të garës.

Të ngjashme

Të fundit