Rodri Hernández është pranë transferimit nga Manchester City te Barcelona.
Dy klubet kanë arritur një marrëveshje pothuajse përfundimtare, e cila përfshin një shumë fikse plus bonuse të ndryshme, ndërsa zyrtarizimi pritet të vijë në ditët e ardhshme, sapo të zgjidhen detajet e fundit.
Sipas gazetës spanjolle “Mundo Deportivo”, Barcelona ka ngushtuar ndjeshëm diferencën që ekzistonte mes kërkesave financiare të Manchester Cityt dhe ofertës fillestare të klubit katalanas. 30-vjeçari, të cilit i ka mbetur vetëm një vit në kontratën me klubin anglez, kishte arritur marrëveshje personale disa ditë më parë.
Tashmë dy klubet janë vetëm disa hapa larg shkëmbimit të dokumentacionit të nevojshëm për finalizimin e transferimit. Mbetet vetëm miratimi përfundimtar i disa detajeve teknike rreth strukturës së marrëveshjes, çka i hap rrugën mesfushorit të Spanjës për t’iu bashkuar Barcelonës në fillim të kësaj jave.
Hansi Flick dëshiron që marrëveshja të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur. Kjo pavarësisht deklaratave të trajnerit të Manchester Cityt, Enzo Maresca, i cili kishte sugjeruar se Rodri pritej të paraqitej te skuadra angleze të premten e ardhshme për të nisur përgatitjet parasezonale. Zhvillimet e fundit, megjithatë, po e drejtojnë qartë mesfushorin drejt Katalonjës.
Flick dëshiron të nisë sa më herët përgatitjet për ndeshjen hapëse të kampionatit spanjoll, e planifikuar pas dy javësh, dhe dëshiron ta dijë përbërjen që do të ketë në dispozicion për sezonin përpara fillimit të garave zyrtare.
Me merkaton e hapur deri më 31 gusht, finalizimi i marrëveshjeve urgjente është në krye të listës së prioriteteve të stafit teknik.
Barcelona nuk ishte zgjedhja e parë e Rodrit në fillim të merkatos, madje as pas përfundimit të Botërorit. Dyshimet e tij për një transferim te Real Madrid, si dhe fakti që një marrëveshje pothuajse përfundimtare me Los Blancos nuk u aktivizua kurrë zyrtarisht, rezultuan vendimtare në ndryshimin e destinacionit të tij.
Trajneri gjerman shpreson ta ketë Rodrin në dispozicion pothuajse në të njëjtën kohë me pjesën tjetër të kampionëve të botës të skuadrës, të cilët pritet të rikthehen në stërvitje të mërkurën e ardhshme pas pushimeve të jashtëzakonshme që morën pas Botërorit.
Kjo do t’i japë Flickut një mundësi më të mirë për të ndërtuar formacionin titullar përpara nisjes së sezonit të ri.






