Kreu i Aleancës, Ardian Gjini ka konfirmuar pjesëmarrjen dhe fjalimin e tij në protestën e 12 shtatorit në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
Gjini ka thënë se protesta nuk lidhet vetëm me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin apo të tjerët, por me mbrojtjen e historisë së Kosovës për luftën dhe lirinë.
Ai theksoi se se qytetarët nuk duhet të lejojnë që sakrifica e atyre që luftuan për liri të harrohet apo të njolloset. Ai u shpreh optimist se Kosova do të dalë nga kjo gjendje.
“E kam konfirmuar edhe që do të flas, patjetër që do të jem aty. S’ka të bëjë kjo me Hashim Thaçin, as me Kadri Veselin, as me Jakup Krasniqin, as me të tjerët. Fushata është për baltosjen e tregimit tonë për lirinë tonë. Mos të arrijmë t’i bëjmë fëmijëve tanë patriotë, t’ua tregojmë sakrificën e vajzave dhe djemve tanë që kanë luftuar për liri. Qëllimi është të mbyllet tregimi i Kosovës për lirinë dhe këta, me apo pa vetëdije, kanë kontribuar në këtë qëllim. E kanë sjellë Kosovën në atë gjendje që ta mohojë vetveten, të mos i dojë simbolet e veta, shtetin e vet dhe heronjtë e vet, jo vetëm të gjallët, por as ata të vdekurit. Ama, Kosova ka me dalë prej kësaj gjendjeje, po ju garantoj që ka me dalë prej kësaj gjendjeje”, tha Gjini.
Më 12 shtator në Prishtinë, katër ditë para shpalljes së aktgjykimit në Hagë, do të mbahet protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, e thirrur nga platforma “Liria ka Emër”






