Gjermania dhe Franca me “non-paper” për Ballkanin Perëndimor para samitit në Mal të Zi

- Advertisement -
Berlini dhe Parisi, në një dokument joformal, i kanë bërë thirrje Komisionit Evropian që të hartojë propozime për të lehtësuar integrimin gradual të vendeve kandidate në BE.

Kjo nismë parashikon që vendet që po afrohen me anëtarësimin të mund të përfitojnë më herët nga disa përfitime të tregut të brendshëm, në varësi të përparimit të tyre në negociata.

Po ashtu, sugjerohet që këto vende të kenë lidhje më të ngushta me institucionet e BE-së gjatë procesit të vendimmarrjes së përditshme, për shembull duke marrë statusin e vëzhguesit në disa mbledhje të institucioneve evropiane, transmeton Telegrafi.

Megjithatë, ky përfshirje do të bëhej vetëm në kushte të qarta që ruajnë pavarësinë dhe autonominë e vendimmarrjes së Bashkimit Evropian.

“Politika e zgjerimit ka nevojë për një shtysë të re. Samitet e ardhshme që Bashkimi Evropian do të mbajë me Ballkanin Perëndimor më 5 qershor dhe me Moldavinë më 22 qershor janë një mundësi që nuk duhet humbur. Qëllimi i përbashkët është ta përfundojmë Bashkimin Evropian si një union vërtet evropian. Për ta kthyer këtë synim në realitet dhe për t’i dhënë një dinamikë të re procesit, duhet të krijohen nxitje shtesë brenda integrimit gradual, i cili duhet të bazohet në meritë. Po ashtu, është e nevojshme të thjeshtohet procesi aktual i zgjerimit, në mënyrë që ai të bëhet më efikas dhe të mundësojë integrim më të shpejtë dhe më të thellë në BE, gjithmonë në përputhje me kriteret e Kopenhagës”, thuhet në dokument.

Theksohet se synimi i anëtarësimit të plotë në BE mbetet i pandryshuar dhe se integrimi gradual nuk synon të zëvendësojë anëtarësimin e plotë apo të zgjasë rrugën drejt tij, raporton rtcg.

“Përkundrazi, synimi është të krijohen nxitje që e përshpejtojnë përparimin në këtë rrugë. Në këtë mënyrë, integrimi gradual do të kontribuojë në një zgjerim të suksesshëm të Bashkimit Evropian dhe në forcimin e tij në tërësi”, thuhet më tej.

Në dokument propozohet edhe thjeshtimi i metodologjisë së negociatave, përmes bashkimit të disa hapave proceduralë. Theksi vihet që puna e vendeve kandidate, Komisionit Evropian dhe Këshillit të BE-së të fokusohet më shumë në përmbajtjen dhe thelbin e reformave, dhe më pak në procedura.

Gjithashtu, theksohet se përmes një integrimi të strukturuar dhe gradual synohet që vendeve kandidate t’u jepet një shtysë shtesë për të ndërmarrë dhe përshpejtuar reformat e nevojshme.Gjithashtu propozohet që, nëse përmbushen disa kushte të caktuara, dy herë në vit të zhvillohen takime të përbashkëta mes Komisionit Evropian, anëtarëve të Parlamentit Evropian dhe përfaqësuesve të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Moldavisë.

Po ashtu, parashihet që komitetet e përbashkëta parlamentare të mblidhen më shpesh, në mënyrë që të forcohet bashkëpunimi politik dhe institucional.

Një tjetër element i propozimit është që përfaqësuesit e vendeve kandidate të mund të marrin pjesë në pika të caktuara të rendit të ditës në mbledhjet joformale të Këshillit Evropian dhe të Këshillit të BE-së, por vetëm si vëzhgues dhe pa të drejtë vote.

Në të njëjtën kohë, vendeve kandidate u ofrohet mundësia e pjesëmarrjes së plotë në tregun e vetëm të BE-së, mbi bazën e një modeli të zgjeruar të Zonës Ekonomike Evropiane (EEA+), i cili nënkupton integrim më të thelluar ekonomik pa anëtarësim të plotë në BE.

Kjo do të thotë se këto vende do të kishin, në mënyrë të ngjashme me shtetet e Zonës Ekonomike Evropiane (Islanda, Lihtenshtajni dhe Norvegjia), qasje në tregun e përbashkët evropian.

Megjithatë, kjo qasje do të kushtëzohej me përmbushjen e disa detyrimeve të rëndësishme: vendet kandidate do të duhej të miratonin dhe zbatonin legjislacionin e BE-së, pra “acquis communautaire”, në pesë grupet e para të kapitujve të negociatave.

Po ashtu, kërkohet që kapitujt përkatës të negociatave të mbyllen në mënyrë të përkohshme, si dëshmi se reformat janë zbatuar realisht dhe standardet e BE-së janë arritur në ato fusha.

Të ngjashme

Të fundit