Foda lavdëron Osmanin: Luan me zemër për Kosovën, kjo më pëlqen

- Advertisement -

Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka folur për tre futbollistët e rinj të ftuar në përfaqësuese, duke veçuar talentin e Bayern Munichut, Erblin Osmanin, për të cilin zbuloi se kishte qenë në kontakt prej disa muajsh.

Në konferencën për shtyp, trajneri gjerman vlerësoi paraqitjet e Avdylit dhe Kaçurrit, ndërsa theksoi se të tre futbollistët kanë potencial për t’i shërbyer Kosovës në të ardhmen.

Foda vlerëson paraqitjet e Avdylit dhe potencialin e Kaçurrit

“Kemi tre lojtarë të rinj të ftuar. Avdyli ka pasur një sezon shumë të mirë, me paraqitje jashtëzakonisht të mira. Ka luajtur në krahun e majtë, por e kemi parë edhe në pozita më ofensive në atë krah. Mund të luajë në pozita të ndryshme dhe e ka merituar ftesën”, deklaroi Foda.

Ai foli pozitivisht edhe për Kaçurrin, të cilin tha se e njeh prej kohësh.

“Kaçurri luan në Austri dhe e njoh prej një kohe më të gjatë. Është lojtar i mirë dhe me potencial për të ardhmen”, shtoi përzgjedhësi.

“Të gjithë kemi qenë në kontakt me Osmanin”

Duke folur për Osmanin, Foda zbuloi se Federata e Futbollit e Kosovës kishte zhvilluar kontakte të vazhdueshme me talentin e Bayern Munichut për ta bindur që t’i bashkohej përfaqësueses.

“Për Osmanin kemi qenë në kontakt prej disa muajsh. Ka luajtur në mënyrë të shkëlqyer dhe më ka bindur. Të gjithë kemi pasur kontakt me të, duke filluar nga presidenti, drejtori i Kombëtares dhe unë”, tha Foda.

Trajneri gjerman veçoi posaçërisht përkushtimin e futbollistit ndaj Kosovës.

“Ai luan me zemër për Kosovën, luan me pasion. Kjo më pëlqen, kur lojtarët luajnë me pasion për Kosovën”, theksoi ai.

Foda: Të gjithë duhet ta dëshmojnë veten

Pavarësisht vlerësimeve për lojtarët e rinj, Foda bëri të qartë se secili prej tyre duhet ta dëshmojë veten për të fituar hapësirë në skuadër.

“Secili duhet të dëshmohet nga fillimi. Kemi katër ndeshje në vazhdim dhe të gjithë na duhen”, përfundoi përzgjedhësi i Kosovës.

Të ngjashme

Të fundit