Federata e Futbollit e Kosovës ka shënuar arritjen më të madhe deri më tani në sektorin e edukimit të trajnerëve, duke fituar në një kohë rekord të drejtën për organizimin e kursit UEFA Pro Licencë në Kosovë.
Ky është niveli më i lartë i licencimit të trajnerëve në kuadër të sistemit të edukimit të UEFA-s dhe përfaqëson një hap të jashtëzakonshëm për zhvillimin profesional të trajnerëve dhe avancimin e futbollit kosovar.
Organizimi i këtij kursi në Kosovë njëherësh dëshmon për progresin e vazhdueshëm të FFK-së në fushën e edukimit, si dhe për përmbushjen e standardeve dhe kërkesave të përcaktuara nga UEFA.
Kësisoj, në kuadër të Programit për Edukimin dhe Licencimin e Trajnerëve, FFK shpall konkurs për pranimin e kandidatëve në kursin UEFA Pro Licencë.
Në edicionin e parë të këtij kursi do të pranohen gjithsej 18 pjesëmarrës.
Provimi pranues
Procesi i përzgjedhjes së kandidatëve do të përfshijë një provim pranues, i cili do të mbahet më: 26–28 tetor 2026.
Vetëm kandidatët që i plotësojnë kriteret e përcaktuara për pranim dhe kalojnë me sukses procesin e përzgjedhjes do të pranohen në kurs.
Kriteret për aplikim
Në përputhje me kërkesat e UEFA Coaching Convention, kandidatët duhet:
– të posedojnë UEFA A Licence të vlefshme;
-të kenë së paku një (1) vit përvojë pune si trajner në nivel profesional, si trajner kryesor ose ndihmës-trajner, apo në një rol përkatës me ekip kombëtar;
-të ofrojnë dëshmi për përvojën e tyre si trajner, duke përfshirë klubin/ekipin kombëtar, pozitën e mbajtur dhe nivelin e garës;
-të jenë aktivisht të angazhuar si trajnerë dhe të kenë qasje në një ekip me të cilin mund ta realizojnë punën praktike të kërkuar gjatë gjithë kohëzgjatjes së kursit;
-të dorëzojnë kopjen e UEFA A Licencë;
-të dorëzojnë vërtetim nga Policia lidhur me dosjen penale;
-të dorëzojnë certifikatë mjekësore të lëshuar nga institucioni kompetent shëndetësor.
Kandidatët janë përgjegjës që gjatë gjithë kohëzgjatjes së kursit të kenë qasje në një ekip, me qëllim të realizimit të detyrave të kërkuara praktike të trajningut. Nëse gjatë kursit ndryshon situata e angazhimit të kandidatit si trajner, është përgjegjësi e kandidatit të sigurojë qasje në një ekip të përshtatshëm për të përmbushur kërkesat praktike të programit.
FFK rezervon të drejtën të kërkojë dokumente ose informacione shtesë gjatë procesit të verifikimit të aplikimeve.
Kandidatët dhe e drejta për aplikim
Për këtë edicion të Kursit UEFA Pro Licencë, ky konkurs është i hapur ekskluzivisht për kandidatët që posedojnë pasaportë të Republikës së Kosovës.
Në rast se pas përfundimit të procesit të aplikimit dhe përzgjedhjes mbeten vende të lira, FFK rezervon të drejtën të shpallë një konkurs shtesë të veçantë, i cili mund të jetë i hapur edhe për kandidatë ndërkombëtarë që i plotësojnë kriteret e kërkuara për pranim.
Çdo konkurs i tillë shtesë do të shpallet veçmas nga FFK-ja dhe do të përmbajë kriteret përkatëse të pranimit, procedurën e aplikimit dhe afatin për aplikim.
Struktura dhe kalendari i kursit
Kursi UEFA Pro Licencë është një program gjithëpërfshirës edukimi, i cili përbëhet nga module rezidenciale me pjesëmarrje fizike, sesione teorike dhe praktike në fushë, mësim online, detyra individuale dhe grupore, punë praktike si trajner në kuadër të klubit/ekipit, analiza, vlerësime dhe provime.
Kalendari i planifikuar i moduleve me pjesëmarrje fizike është si vijon:
Provimi pranues: 26–28 tetor 2026
Moduli Prezantues: 30 nëntor–2 dhjetor 2026
Moduli 1: 1–4 shkurt 2027
Moduli 2: 5–8 prill 2027
Moduli 3: 7–10 qershor 2027
Moduli 4: 2–5 gusht 2027
Moduli 5: 4–7 tetor 2027
Moduli 6: 6–9 dhjetor 2027
Moduli 7: 7–10 shkurt 2028
Moduli 8: 3–6 prill 2028
Moduli 9: 5–8 qershor 2028
Datat e paraqitura më lart i referohen moduleve me pjesëmarrje fizike në Kosovë. Megjithatë, procesi i edukimit vazhdon edhe gjatë periudhave ndërmjet moduleve.
Ndërmjet moduleve me pjesëmarrje fizike, pjesëmarrësit do të jenë të obliguar të realizojnë aktivitete të ndryshme mësimore, duke përfshirë detyra praktike të trajningut me ekipet e tyre, detyra individuale dhe grupore, analiza, aktivitete të mësimit online dhe detyra të tjera të përcaktuara në kuadër të Programit për Edukimin e Trajnerëve.
Kandidatët duhet të jenë të gatshëm t’i përkushtohen kohëzgjatjes së plotë dhe të gjitha kërkesave të programit, si gjatë moduleve të planifikuara me pjesëmarrje fizike, ashtu edhe gjatë periudhave ndërmjet tyre.
Programi do të përfshijë gjithashtu module të mësimit online përmes platformës Edubreak.
Pjesëmarrja praktike
Kandidatët pritet të marrin pjesë në mënyrë aktive në të gjitha komponentët teorikë dhe praktikë të kursit dhe duhet të jenë të përgatitur fizikisht për kërkesat praktike të programit.
Përfundimi dhe licencimi
Kursi do të përfundojë me procesin përkatës të vlerësimit dhe provimeve.
Kandidatët që i përmbushin me sukses të gjitha kërkesat e programit dhe kalojnë vlerësimet e kërkuara do të pajisen me UEFA Pro Licence, në përputhje me rregulloret dhe kriteret përkatëse të UEFA-s dhe FFK-së.
Pagesa e kursit
Tarifa totale e pjesëmarrjes në Kursin UEFA Pro Licence është 7,500€ për kandidat.
Procedura dhe afati i aplikimit
Trajnerët e interesuar duhet të aplikojnë online përmes ueb-faqes zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës (Aplikimi për trajner) dhe të dorëzojnë të gjithë dokumentacionin e kërkuar brenda afatit të përcaktuar në këtë konkurs.
Afati i fundit për aplikim: 20 shtator 2026.
Aplikimet e pakompletuara ose të dorëzuara pas afatit mund të mos merren në shqyrtim.
Federata e Futbollit e Kosovës –Departamenti për Edukimin e Trajnerëve






