Fetoshi: Monumenti në Rashkë, glorifikim i krimit ndaj shqiptarëve

- Advertisement -

Drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, Arben Fetoshi, ka reaguar ndaj inaugurimit të monumentit në Rashkë për pjesëtarët e Brigadës së 37-të të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave, duke e cilësuar atë si vazhdim të glorifikimit të krimeve të luftës dhe një fyerje për viktimat shqiptare. Sipas tij, ky veprim dëshmon vazhdimësinë e politikave që, siç thotë ai, burojnë nga projekti i Millosheviqit dhe sot manifestohen përmes konceptit të “Botës Serbe”.

Ai shkroi se Brigada që kishte tentuar t’i fshihte krimet si Izbica (146 civilë), Rezalla, Çikatova e Vjetër (68 civilë), Likoshani, Qirezi, Zabeli i Ulët, Gllanasella, e të tjera, aty ku e kishte bazën, në Rashkë, siç ka dokumentuar Fondi për të Drejtën Humanitare (Dosja “Rudnica”; Rasti Ljubisha Dikoviq), pikërisht aty sot ajo nderohet nga Qeveria e Serbisë.

“Ndërkohë që Kosova po vazhdon kërkimet për persona të zhdukur nga lufta në një varrezë masive në Kalludër të Vogël, Serbia jo vetëm që nuk e përmbush detyrimin e marrë me Deklaratën e Brukselit (2023) për hapjen e arkivave, edhe të kësaj brigade, por tani ngre monumente përkujtimi ndaj atyre që i kanë kryer dhe fshehur krimet në Kosovë. Ndonëse kjo makineri kriminale e kishte vënë në lëvizje botën demokratike (Operacioni “Allied Force” i NATO-s), ndërsa Tribunali i Hagës i ka gjetur fajtorë eprorët e lartë të ushtrisë e policisë serbe si Pavkoviqi (22 vjet), Ojdaniqi (15 vjet), Llazareviqi (14 vjet), Llukiqi (20 vjet) e Shainoviqi (18 vjet), zëvendëskryeministri dhe ministri i Brendshëm, Daçiq e quan monumentin “mësues të heshtur të historisë”, derisa ministria e tij nuk e harron “agresionin e NATO-s” në njoftim (KoSSev, 01.08.2026)”, ka shkrua rai në “Facebook”.

“Ne kemi bërë luftë mbrojtëse dhe të gjithë luftëtarët tanë ishin luftëtarë të lirisë e heronj të luftës, jo kriminelë të luftës”, ka thënë Daçiq, duke pretenduar se Serbia po ballafaqohet me përpjekje për ta “rishikuar historinë”. Një teknikë perfide e komunikimit strategjik, që tenton ta rehabilitojë politikën e gjenocidit dhe spastrimit etnik. Pika që e bashkon me zëvendësen e tij partiake, ministren Paunoviq dhe me të gjithë korin revizionist të Beogradit zyrtar, për “Perëndimin e padrejtë”, “Kosovën represive” dhe “Rusinë shpëtimtare”.

Ai tha se kjo luftë narrative kundër Kosovës, duke përfshirë strategjinë e mohimit të krimeve në Kroaci, të gjenocidit në Srebrenicë dhe “bekimin” kishtar të kriminelëve të luftës, është pjesë e strategjisë për rehabilitimin e Millosheviqit, si bazë për legjitimitetin e “Botës Serbe”.

|Në këtë kontekst, monumenti i Rashkës është instrument i strategjisë hibride, që duhet ta alarmojë rajonin, BE-në dhe NATO-n. Që tregon se Serbia po e “heroizon” krimin dhe politikën gjenocidale, për ta normalizuar dhe transmetuar atë te brezat e rinj. Serbia e Millosheviqit nuk ka filluar me luftë, por me narrativën që e bëri luftën të pranueshme. Prandaj, nuk duhet pritur që historia të përsëritet për ta kuptuar se mohimi i krimeve, heroizimi i së kaluarës dhe qëllimet hegjemoniste nuk janë retorikë, por paralajmërime strategjike”, shkroi Fetoshi.

Të ngjashme

Të fundit