Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale për Fatmir Shehollin i dyshuar për spiunazh, përmendet edhe Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti. Ndryshe nga interpretimi i eksponentëve të Vetëvendosjes se kinse bëhej fjalë për kritikët e qeverisjes së Kurtit, në aktakuzë flitet për krejt diçka tjetër. Sqarimi i përendjes së Kurtit, bëhet në faqen 58 të aktakuzës, ku në fakt flitet për misionin e RDB-së serbe për rekrutimin e Albin Kurtit, në kohën sa ai ishte në burgjet serbe.
“Nga analiza e dëshmisë Z#4.1, përkatësisht dokumentit të emërtuar “Leptiri”, të gjetur në telefonin e të pandehurit Fatmir Sheholli, rezulton se bëhet fjalë për një dokument i përpiluar nga struktura të Sigurimit Shtetëror të Serbisë (RDB) në vitin 2001, i cili përshkruan një plan operativ për komprometimin dhe rekrutimin e Albin Kurtit gjatë kohës së vuajtjes së dënimit në burgjet e Serbisë. Sipas përmbajtjes së dokumentit, parashihej përdorimi i një burimi operativ me nofkën “Leptiri” për sigurimin e materialeve komprometuese, me qëllim të ushtrimit të presionit ndaj tij për bashkëpunim me RDB-në.” – thuhet aty.

Pra, ndonëse Kurti nuk është objekt i hetimit, aty përmendet vetëm fakti se kishte plan operatim për rekrutimin e tij gjatë kohës së vuajtjes së dënimit në burgjet e Serbisë.
Ndërkohë, përveç fjalës “rekrutim”, përmendet edhe fjala “komprometim” si dhe “diskreditim”, të gjitha këto të përpiluara në vitin 2001.
Çka ka tjetër në aktakuzën ndaj Shehollit?
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit, duke e ngarkuar me veprat penale “Spiunazh” dhe “Shantazh”.
Sipas aktakuzës që ka parë gazeta Nacionale, Sheholli dyshohet se deri më 9 tetor 2025 veproi si person i rekrutuar nga Shërbimi Informativ i Serbisë, BIA.
Prokuroria pretendon se ai mblodhi dhe përcolli te zyrtari i BIA-s, Bojan Dimiç, informacione për aktivitetet politike, sigurinë dhe funksionimin e institucioneve të Kosovës.
Në aktakuzë thuhet se Sheholli zbatoi plan operacional të përgatitur nga zyrtari serb, me synim “dëmtimin e interesave të Republikës së Kosovës”.
Sipas Prokurorisë, plani synonte edhe “ndërhyrjen direkte në procesin zgjedhor” të 12 tetorit 2025, vetëm pak ditë para votimit.
Më 26 shtator, sipas aktakuzës, Sheholli udhëtoi në Mitrovicën e Veriut, ku pranoi materiale audio dhe transkripte të bisedave të zyrtarëve të lartë.
Materialet, sipas Prokurorisë, ishin destinuar për komprometimin e zyrtarëve të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim dhe u shoqëruan me 5 mijë euro, të cilat sipas aktakuzës i kishte pranuar Sheholli nga zyrtari i BIA-s.
Aktakuza thotë se Sheholli më pas ia dorëzoi materialet gazetarit Milaim Zeka, bashkë me 1 mijë euro dhe udhëzime për publikimin e tyre.
Publikimi ishte planifikuar në emisionin e Zekës, disa ditë para zgjedhjeve lokale, sipas pretendimit të Prokurorisë.
“Me këto veprime konkrete”, thuhet në aktakuzë, Sheholli “ka mundësuar ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të një shërbimi të huaj informativ në një proces zgjedhor”.






