Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi, ka kritikuar qasjen politike të Albin Kurtit, duke deklaruar se përçarjet e krijuara brenda shoqërisë kosovare, me diasporën dhe me shqiptarët në rajon, sipas tij, nuk janë të rastësishme.
Në emisionin “DPT me Fidanin” në Klan Kosova, Abazi tha se Kosova ende nuk e ka parë se çfarë mund të ndodhë në vend nëse vazhdon, siç e quajti ai, kjo “mendësi politike”.
Sipas tij, konfrontimi politik që, siç pretendon ai, po kërkohet nga Kurti është pjesë e përgatitjes për një përplasje më të madhe.
Unë mendoj që hala s’kemi parë çka ka me ndodhë me këtë vend nëse lejohet krejt kjo mendësi politike e cila është instaluar si ide e shpresës se çka është ka bënë me fuqinë politike elektorale, domethënë unë mendoj që këtu konfrontimi të cilin po e kërkon zotëri Kurti është në përgatitje do të thotë gjella e tij për një përplasje më të madhe sepse përçarja e ka një qëllim. Përçarja nuk është qëllim në vetvete. Përçarja që është futur në popull brenda në Kosovë, përçarja me diasporën, përçarja me shqiptarët e Maqedonisë, përçarja me qeverinë e Shqipërisë, e ka qëllimin e vet”, deklaroi Abazi.
Abazi kritikoi gjithashtu mënyrën e funksionimit të institucioneve të Kosovës nën qeverisjen e Kurtit.
Unë e kam thënë në mënyrë të vazhdueshme prej momentit të parë kur e kam parë që realisht gjithë jeta institucionale, strukturat institucionale janë vnuar në shërbim të një axhende të cilën Kurti e ka mbajtur të mbyllur për vete dhe çdo herë kur ka ju ka krijuar mundësia i ka shti në përdorim servilët për me zbatu, e kam parë që këtu nuk ka realisht funksionim, nuk ka qëllim për me funksionuar shteti”, tha ai.
Sipas Abazit, institucionet nuk janë përdorur për funksionimin e shtetit, por për zbatimin e një agjende politike.






