Në kuadër të aktiviteteve të FIFA Talent Academy Kosova, në vendin tonë qëndruan katër ekspertë ndërkombëtarë të futbollit, të angazhuar në fushën e zhvillimit të talenteve dhe vlerësimit të performancës, Thomas Hauser –Përgjegjës për analizën e performancës në FIFA, Willi Ruttensteiner –Drejtues teknik në programin e FIFA-s për zhvillimin e talenteve, Dariusz Pasieka –Trajner dhe instruktor i FIFA-s dhe Tony Colbert –Ekspert teknik i FIFA-s dhe ish-trajner i përgatitjes fizike në FC Arsenal.
Gjatë kësaj vizite, futbollistët dhe futbollistet e FIFA Talent Academy Kosova u përzgjodhën për të qenë pjesë e një pilot-projekti të testimeve dhe vlerësimit të performancës, që synon analizimin e aftësive individuale, identifikimin e potencialit dhe përcjelljen e zhvillimit të talenteve të rinj.
Përmes këtyre testimeve, ekspertët ndërkombëtarë patën mundësinë të vlerësojnë nga afër aspektet teknike, fizike dhe zhvillimore të futbollistëve dhe futbollisteve të Akademisë, duke kontribuar në krijimin e një baze më të avancuar për monitorimin dhe zhvillimin e tyre.
Ky aktivitet është pjesë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet Federatës së Futbollit të Kosovës dhe FIFA-s, në kuadër të programit Talent Development Scheme (TDS), që synon avancimin e metodologjive të trajnimit, identifikimin e talenteve dhe krijimin e mundësive të reja për zhvillimin e gjeneratave të ardhshme të futbollit kosovar.






