Gjykata Themelore në Gjakovë ka caktuar 30 ditë paraburgim të pandehurit me iniciale D.LL., për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Ngacmim Seksual”.
Gjykata përmes një njoftimit ka bërë të ditur se sipas kërkesës, “ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri D. LL., në Gjakovë, në shkollën fillore “M.K.”, e ngacmon seksualisht personin tjetër, e cila është e ndjeshme për shkak të moshës, duke e përfshirë në sjellje të padëshiruar verbale të natyrës seksuale ndaj të dëmtuarës se mitur, veprime këto të cilat të dëmtuarës së mitur i ka cenuar dinjitetin dhe ka krijuar mjedis frikësues, degradues dhe poshtërues”.
“Gjyqtari i procedurës paraprake Driton Sadiku, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin në fjalë, ngase kemi të bëjmë me vepër penale të rëndë, ashtu që me gjetjen e mundshme të të pandehurit në liri ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale, rreziku i ikjes dhe i ndikimit në prova.” – thuhet në njoftim.
“I pandehur do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej tridhjete (30) ditësh, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit më 27 mars 2025 dhe do të zgjasë deri më 26 prill 2025.”
Mediumi Kallxo.com ka bërë të ditur se i pandehuri D.LL. është punëtorë i bufesë në shkollë.