Superliga e Kosovës vazhdon sot me dy ndeshjet e fundit të xhiros së 13-të, ku në program janë dy përballje me rëndësi të veçantë për renditjen tabelare.
Vëmendja do të jetë te dueli ndërmjet Drenicës dhe Dritës. Skuadra nga Skenderaj renditet në vendin e tetë me 11 pikë dhe synon të marrë rezultat pozitiv për t’iu larguar zonës së poshtme të tabelës.
Në anën tjetër, Drita pozicionohet në vendin e tretë me 23 pikë, gjashtë më pak se liderja Prishtina, prandaj fitorja është e rëndësishme për të mos humbur më shumë terren në garën për kreun.
Përballje interesante pritet edhe në Vushtrri, ku skuadra vendase e pret Prishtinën. Është një duel mes vendit të parë dhe atij të fundit në tabelë.
Vushtrria ka grumbulluar vetëm tri pikë deri më tani, ndërsa Prishtina kryeson kampionatin me 29 pikë dhe synon të vazhdojë rrugëtimin drejt titullit me një tjetër fitore.
Të dyja ndeshjet zhvillohen sot dhe nisin nga ora 13:00.






