Drita kërkon fitoren në San Marino

- Advertisement -

Si lojtar, Visar Sermaxhaj, ka qenë prej emrave të shquar në futbollin e Kosovës. Si trajner ende nuk e ka dëshmuar potencialin e tij. Rastin e madh do ta ketë të enjten mbrëma.

Sermaxhaj do ta drejtojë për herë të parë ekipin e parë të Dritës si trajner i parë në ndeshjen kundër Tre Fiorit të San Marinos. Ai ka marrë rolin e trajnerit pas shkarkimit të Zekirija Ramadanit.

Pasi falënderoi trajnerin Ramadani për punën e bërë për dy vjet e gjysmë te Drita, Sermaxhaj, tregoi se me çfarë synimi ekipi gjilanas ka udhëtuar drejt San Marinos.

Ndeshja Tre Fiori – Drita luhet të enjten nga ora 21:00 dhe i takon raundit të tretë kualifikues të Ligës së Konferencës.

Sermaxhaj pret të kthehen me rezultat pozitiv nga San Marino.

“Ne kemi punuar maksimalisht, kemi bërë analizën për kundërshtarin. Kemi parë anët e forta dhe mangësitë që ka skuadra kundërshtare. Ne duhet t’i shfrytëzojmë rastet që do t’i kemi gjatë ndeshjes dhe të jemi sa më konkretë për të dalë me rezultat pozitiv”, ka thënë Sermaxhaj.

Ai nuk ka fshehur emocionet për drejtimin e Dritës.

“Është hera e parë për mua si kryetrajner, rastisi të jetë ndeshje e Evropës. Emocion i madh për mua dhe klubin, por shpresoj të dalim me rezultat pozitiv”, është shprehur Sermaxhaj.

Drita në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës e eliminoi skuadrën nga Malta, Floriana.

Por pa shfaqur futboll bindës dhe vetëm pas vazhdimeve. Pas kualifikimit, drejtuesit e klubit vendosën të ndajnë rrugët me Ramadanin.

Futbollisti Vesel Limaj pret ta kalojnë Tre Fiorin.

“Jemi përgatitur mirë gjatë këtyre ditëve dhe jemi të fokusuar maksimalisht për ndeshjen që e luajmë nesër. Nuk na pret ndeshje e lehtë, por kemi besim se do të marrim rezultat pozitiv”, ka thënë Limaj.

Nëse e kalon rundin e tretë kualifikues, Drita do të përballet në plejof me fituesin e ndeshjes ndërmjet Flora Tallinn dhe Inter Club d’Escaldes.

Fillimisht synimi i skuadrës gjilanase është që ta kalojë raundin e tretë kualifikues në “Conference League”.

Ndeshjen kthyese kundër Tre Fiorit, Drita e luan pas një jave në Prishtinë.

Të ngjashme

Të fundit