Mirlind Daku prezantohet te Spartaku i Moskës

- Advertisement -

Mirlind Daku është lojtar i ri i Spartak Moskës. Klubi i madh rus e prezantoi të enjten sulmuesin kosovar. Daku ka firmosur për tri vjet me klubin nga kryeqendra ruse. Ai do ta mbajë fanellën me numër 19.

Daku është transferuar te Spartaku nga Rubin Kazani. Sipas mediumeve ruse, transferimi është bërë për 11 milionë euro. Daku do të ketë të hyra vjetore prej 3,75 milionë euro. Si bonus për transferim ka fituar 1,5 milionë euro.

Kalimi te Spartaku megjithatë nuk është pa sfida. Tifozë të këtij klubi, të njohur për qëndimet pro-serbe kanë kundërshtuar transferimin e Dakut. Në një ndeshje të luajtur të mërkurën, në të cilën Daku ishte në tribunë, kishte thirrje “Kosova – Serbia” dhe “mbyte shqiptarin”. Edhe përmes postimeve tifozë të Spartakut kanë kundërshtuar transferimin e reprezentuesit të Shqipërisë.

Por Spartaku ka vendosur ta transferojë dhe pret gola nga shtatlarti. Klubi rus e ka paraqitur drejt karrierën e kosovarit.

“Daku ka kaluar tri edicione te Rubini, duke shënuar të paktën dhjetë gola në secilin prej tij. Është stabilizuar si njëri prej top-golashënuesve të ligës ruse. Ai ka 38 gola dhe 10 asistime në 93 ndeshje për klubin nga Kazani. Me 192 centimetra gjatësi, Mirlindi jo vetëm që luan si sulmues i fuqishëm, por është edhe organizator i mirë falë aftësisë së shkëlqyer me to”, ka shkruar Spartak Moska.

“Para se t’i bashkohej Rubinit, Daku ka luajtur për Hajvalinë, Llapin dhe Ballkanin në Kosovë, Kukësin në Shqipëri, Osijekun në Kroaci dhe Muran në Slloveni. Edicioni më efikas i sulmuesit ishte ai 2020/2021 kur i shënoi 31 gola dhe u bë golashënuesi më i mirë i kampionatit të Kosovës”.

Spartaku ka shkruar tutje se në nivelin e të rinjve Daku ka luajtur për të rinjtë e Kosovës, ndërsa në vitin 2023 pranoi ftesën e Shqipërisë dhe deri më tani i ka luajtur 17 ndeshje. Ka përmendur edhe paraqitjen në Evropian.

“Pasi firmosi me Spartakun, Mirlindi vizitoi muzeun e klubit në ‘Lukoil Arena’ dhe ka përcjellë ndeshjen për kupë ndaj Orenburgut. Ai do ta mbajë stërvitjen e parë të premten”, ka shkruar klubi rus.

Spartaku është klub tradicional rus. Pronare e klubit është korporata ruse e energjisë, Lukoil. Pra është klub i afërt me shtetin rus.

Trajner i Rubin Kazanit është Juan Carlos Carcedo i Spanjës. Te Spartaku ka lojtarë nga disa vende.

Edicionin e kaluar Spartaku e përfundoi në vendin e katërt. Por skuadra e re e Dakut kampionatin e Rusisë e ka fituar për herë të fundit në vitin 2017. Ndërkohë Spartaku nënkampion së fundi ishte në vitin 2021. Kupën e Rusisë e fitoi në edicionin e kaluar.

Të ngjashme

Të fundit