14.1 C
New York
Wednesday, October 9, 2024

Buy now

Drenasi është zemra e Kosovës!

- Advertisement -

Nga Ramiz Lladrovci

Zhvillimet e fundit politike në Komunën e Drenasit, bëjnë që përfundimisht, forca e bashkimit të vullnetit politik doli në shesh. Zgjedhja e Kryesuesit të Kuvendit të Drenas e rikonfirmoi se kemi elemente të mjaftueshme për ta bërë më të mirën për qytetarët e komunës së Drenasit.

Falënderoj të gjithë asamblistët e Kuvendit të Drenasit që morën pjesë dhe votuan për Kryesuesin e Kuvendit të Drenasit, z. Lestrani. Sharmi i demokracisë u pasqyrua në Kuvend. Vet funksionalizimi i Asamblesë, është fitore, përkundër dëmeve për grantin e performancës. PDK e rikonfirmoi unitetin në Kuvendin e Drenasit.

Falënderoj në veçanti, kryesuesin e deritashëm të Kuvendit të Drenasit, Milaim Hjadarin, atdhetarin nga rinia e hershme, çlirimtarin e patrembur, veprimtarin politik e intelektualin e mirënjohur të komunës tonë. Ky falënderim është shenjë respekti për të, për kulturën e tij në politikë, urtësinë në veprime dhe forcën e argumentimit të vizionit tonë për qytetarin.

Në veçanti i falënderoj asambleistët opozitarë që i kanë thënë gjatë gjithë kohës po zhvillimit të Drenasit si Muhamet Kurtaj, Hamit Haxhiu, Beqir Kiçina, Egzon Qorri dhe Selman Qallapeku, i cili do të bashkudhëtojë tash e tutje me PDK-në.

Këtë unitet të së premtes në Kuvendin e Drenasit, e kemi mirëpritur me muaj. Kjo përbërje e Kuvendit e ka në dorë që të vazhdojë projektet e ndalura për shkak të punës së Kuvendit që nga transferimet buxhetore e deri te investimet kapitale. Për funksionalizimin e Kuvendit e falënderoj secilin asamblist, pa dallim partie.

Shkurti po afron. Me shkurtin, po afrohet mundësia reale për ta ndryshuar qeverisjen, për ta ndalur degradimin dhe zhvillimet negative. Me shkurtin, duhet të arrihet unitet në mes të partive politike të Drenasit që në thelb e kanë pasur dhe kanë Partinë Demokratike të Kosovës.

Ftoj të gjithë ish anëtarët e PDK-së, të kthehen në partinë e dalë nga Drejtoria politike e UÇK-së, e krijuar nga rekomandimi i aleatëve të luftës të cilët i sugjeruan Hashim Thaçit që urgjent ta krijonte forcën politike e cila do të përfaqësonte vizionin e manifestuar në frontet e luftës dhe në Rambuje.

Kjo forcë politike, PDK, djepin dhe shtratin e vet të natyrshëm e ka në Drenicë. Sot, më shumë se kurrë, kërkohet unitet, duke tejkaluar të gjitha hatërmbetjet, inatet e hakmarrjet, debatet e panevojshme dhe ndasitë. Kërkohet bashkim pa kushte i të gjitha forcave politike, individëve dhe qytetarëve të paangazhuar rreth misionit dhe vizionit të PDK-së të përfaqësuar tashmë nga Bedri Hamza.

Ky unitet duhet të reflektojë për hir të rezultateve për zgjedhjet nacionale që na presin, në shkurtin e vitit 2025. Asnjë votë nuk duhet të flejë në shtëpi, por, të jetë e angazhuar për ndryshimin e qeverisjes, për ndryshimin e kursit të Kosovës në skenën ndërkombëtare. Ky bashkim i dedikohet edhe heronjve tanë të luftës e paqes, Hashimit, Kadriut, Jakupit, Rexhës dhe të tjerëve që padrejtësisht ndodhen në Hagë.

Prandaj, ftoj qytetarët, pjesëtarët e partive tjera në Komunën e Drenasit, bashkë me subjektet e dala nga PDK-ja, ish anëtarët e PDK-së në veçanti, të bëhen pjesë e unitetit për zgjedhjet nacionale, të jemi bashkë për ta rifilluar zhvillimin në komunën tonë. Asnjë investim kapital i realizuar për pesë vjet. Bedri Hamza i njeh nevojat tona dhe ka vizion për zhvillimin e mëtejmë të Drenasit dhe Kosovës.

Uniteti ynë në komunë, do të ketë jehonë më larg, sepse, me unitet lehtas mund t’i kemi 10 deputetë në Parlament, lehtas mund të kemi ndikim thelbësor në zhvillimet e nivelit qendror. Dhjetë deputetët e mundshëm të Drenasit, do të jenë votë për shpërndarje më të drejtë të buxhetit, të projekteve kapitale dhe perspektivës për të rinjtë tanë.

Më shumë se kurrë, kërkohet unitet qytetar e politik, për ta rikonfirmuar se historia e re e Kosovës, nuk mund të bëhet pa neve, sepse, Drenasi është zemra e Kosovës.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit