Edin Terzic, i intervistuar nga faqja e internetit e UEFA-s, riktheu në vëmendje rrugëtimin e Borussias së Dortmundit drejt finales së Championsit.
Këto janë deklaratat e tij kryesore për ndeshjen e madhe me Realin e Madridit në “Wembley”: “Ne kemi luajtur shumë mirë gjatë këtij sezoni, duke arritur deri në këtë finale. Përballemi me një ekip shumë të fortë, që e ka pasur shpesh këtë përvojë, por ne e dimë se në çdo ndeshje është e mundur të fitojmë.
Nëse do të luanim dhjetë herë kundër Realit të Madridit, ndoshta do të pësonim më shumë humbje sesa fitore, por në një ndeshje të vetme, në 90 ose në 120 minuta, plus penalltitë, jemi të aftë të mposhtim çdo kundërshtar në botë”.
Për mungesën e eksperiencës: “Natyrisht që më duhet të fitoj ende përvojë në disa detaje, por gjithashtu përpiqem të shfrytëzoj më shpesh ata që e kanë pasur këtë përvojë, përpara se të bëj gabime që mund të shmangen në fazën përgatitore të finales”.