Morgan Rogers zyrtarizohet te Chelsea

- Advertisement -

Morgan Rogers është zyrtarisht lojtar i Chelseat, pasi ka përfunduar transferimin nga Aston Villa në një marrëveshje që e bën futbollistin britanik më të shtrenjtë në histori.

Ylli anglez, 23 vjeç, ka nënshkruar kontratë deri në vitin 2032, me opsion për ta zgjatur edhe për një sezon tjetër.

Chelsea ka paguar plot 117 milionë funte për transferimin e tij, një shumë që tejkalon rekordin e mëparshëm të vendosur nga Manchester City për Elliot Andersonin.

Rogers ishte në radarët e Chelseat për më shumë se dy vjet, ndërsa klubi londinez fitoi garën me Arsenalin për shërbimet e mesfushorit ofensiv.

Sipas raportimeve, Arsenali e vlerësonte reprezentuesin anglez rreth 80 milionë funte dhe ishte i gatshëm të rriste disi ofertën, por mbeti i befasuar kur Chelsea pranoi të paguante 117 milionë funte, duke e bërë Rogersin futbollistin anglez më të shtrenjtë të të gjitha kohërave.

Transferimi i tij konsiderohet gjithashtu fitorja e parë e madhe e trajnerit të ri të Chelseat, Xabi Alonso, i cili zhvilloi bisedime pozitive me lojtarin për ta bindur të transferohej në “Stamford Bridge”.

Pas zyrtarizimit të marrëveshjes, Rogers u shpreh: “Jam jashtëzakonisht i emocionuar. Për mua, Chelsea është klubi më i madh në Londër dhe një skuadër që e kam admiruar gjithmonë që kur isha fëmijë. Jam shumë i entuziazmuar për projektin me trajnerin e ri, me lojtarët që kemi dhe me drejtimin ku po shkon klubi. Kjo është arsyeja pse jam këtu dhe mezi pres të filloj”.

Rogers e nisi karrierën në akademinë e West Bromwich Albion, përpara se të transferohej te Manchester City në vitin 2019.

Ai nuk arriti të debutonte me ekipin e parë të Cityt dhe u huazua te Lincoln City, Bournemouth dhe Blackpool.

Në vitin 2023 iu bashkua Middlesbrough, ku shënoi pesë gola gjatë rrugëtimit të skuadrës deri në gjysmëfinalen e Kupës së Ligës.

Në janar të vitit pasues ai u transferua te Aston Villa për 8 milionë funte, një shumë që me bonuset mund të arrinte në 15 milionë funte.

Gjatë kohës te Villa, Rogers zhvilloi 125 ndeshje, shënoi 31 gola dhe ndihmoi klubin të fitonte Ligën e Evropës sezonin e kaluar.

Në nivel ndërkombëtar, Rogers debutoi me kombëtaren e Anglisë në nëntor të vitit 2024 në fitoren 3-0 ndaj Greqisë në Athinë.

Deri më tani ai ka zhvilluar 22 ndeshje me Anglinë, përfshirë paraqitjet në Kupën e Botës 2026, ku ka realizuar edhe një gol.

Të ngjashme

Të fundit