Triumfi i Spanjës në Kupën e Botës ishte mbi të gjitha triumfi i trajnerit Luis de la Fuente.
Pas fitores 1-0 ndaj Argjentinës në finalen e zhvilluar në New Jersey, trajneri spanjoll hyri në historinë e futbollit botëror si trajneri më i moshuar që e ka fituar ndonjëherë një Kampionat Botëror.
De la Fuente e ngriti trofeun në moshën 65 vjeç e 29 ditë, duke e thyer rekordin e mëparshëm që mbahej nga Vicente del Bosque, i cili e udhëhoqi Spanjën drejt titullit botëror në vitin 2010 në moshën 59-vjeçare.
Në vendin e tretë të kësaj liste historike renditet Marcello Lippi, kampion bote me Italinë në vitin 2006, kur ishte 58 vjeç.
Pas një karriere të gjatë me kombëtaret e moshave të Spanjës, De la Fuente e shton edhe një sukses madhor në CV-në e tij.
Një fakt interesant është se ai ka qenë edhe pedagog i Lionel Scalonit gjatë kursit për licencën e trajnerit në Spanjë.
Ndërkohë, në rrjetet sociale nuk munguan edhe komentet me humor.
Shumë tifozë bënë shaka se De la Fuente e “theu mallkimin” e trajnerëve plotësisht tullacë, pasi deri më tani asnjë trajner pa flokë nuk kishte arritur të fitonte Kupën e Botës.
Në anën tjetër të historisë qëndrojnë trajnerët më të rinj kampionë bote: Alberto Suppici fitoi me Uruguain në vitin 1930 në moshën vetëm 31-vjeçare, Mário Zagallo triumfoi me Brazilin në vitin 1970 në moshën 38-vjeçare, ndërsa César Luis Menotti e udhëhoqi Argjentinën drejt titullit në vitin 1978 kur ishte 39 vjeç.






