Shëndetësia në Kosovë është me plot probleme. Përpos mungesës së gjërave elementare në spitalet e vendit, aty mungon edhe stafi.
E si shkak i mungesës së stafit, punëtorët shëndetësorë të cilët janë duhet që shpesh herë të punojnë më gjatë se që e parasheh ligji.
Në disa raste pa e bërë publike, e në disa raste veçse dihet, orët e tyre janë të tejzgjatura.
Por jo vetëm kaq.
Në bazë të ligjit funksional në vendin tonë infermierëve, doktorëve e stafit tjetër shëndetësorë iu paguhen shtesë kujdestaritë dhe ndërrimet.
Por, kësisoj nuk ndodhi këtë muaj, në pagën e muajit shtator.
E shqetësime të shumta kanë shprehur shumë prej stafit shëndetësorë.
Në lidhje me këtë situatë të krijuar, ku atyre pagat iu dolën pa llogaritur kujdestaritë dhe shtesat, lajmi.net ka kontaktuar Ministrinë e Shëndetësisë, atë të Financave, por edhe Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, të cilët edhe u përgjigjen në lidhje me këtë çështje.
Sipas ShSKUK-së, pagat e muajit shtator të vitit 2024 do të llogariten me kujdestari dhe ndërrime, për të gjithë doktorët, infermierët dhe stafin tjetër mbështetës.
Kjo është bërë e ditur nga Sherif Bytyqi, i cili është Shefi i Njësisë për Buxhet dhe Financa në QKUK.
“Të nderuar, pagat e muajit shtator 2024 dalin me kujdestari dhe ndërrime, të gjithë doktorët, infermierët dhe stafi tjetër mbështetës. Pagat e shtatorit do t’i marrin së bashku me kujdestari dhe ndërrime. Ka pasur disa mos keqkuptime-sqarime dhe tani gjithçka është në rregull. Ju falënderojmë për mirëkuptimin tuaj”,tha ai në përgjigjen me shkrim për lajmi.net.
Por pavarësisht insistimit për të ditur se kur saktësisht do të përfshihen në paga edhe kujdestaritë dhe ndërrimet, Bytyqi theksoi se në pagën e muajit shtator 2024 dhe asgjë më tepër.
“Të nderuar, ju treguam se me pagën e muajit shtator 2024 së bashku me të do të dalin edhe kujdestarit dhe ndërrimet. Jemi në pritje”shtoi ai.
Duhet përkujtuar që mjekët dhe infermierët vazhdojnë që përpos pagës bazë, të paguhen edhe për kujdestari, përkatësisht për ndërrime.
Gjatë viteve të fundit në kuadër të shëndetësisë në nivel vendi pati edhe ngritje të pagave.
Rritja e pagave dhe përmbushja e kërkesave të tjera që vazhdimisht kanë pasur mjekët dhe infermierët, ka ndikuar që numri i atyre që largoheshin nga vendi të bie.
Por edhe pse disa prej kushteve bazë të kërkuara nga këta të fundit janë plotësuar, infermierët vazhdojnë të jenë në numër të madh ata që largohen nga Kosova.
Madje infermierët vazhdojnë të jenë thuajse numri më i madh i të rinjve që kërkojnë punë jashtë vendit, sidomos në Gjermani apo në Zvicër.
E në QKUK dhe në spitalet regjionale të Kosovës mungesa e stafit shëndetësorë shpesh herë ka krijuar probleme të mëdha.
Mos ofrimi i shërbimeve adekuate tek qytetarët në shumë raste ka ardhur edhe si shkak i numrit të vogël të shërbyesve shëndetësorë.
Në disa prej klinikave të QKUK-së infermierët vazhdojnë të jenë në numër aq të vogël, e pacientët në numër aq të madh saqë nuk balancohet assesi kujdesi ndaj tyre.