Analisti Agon Maliqi duke komentuar situatën aktuale në Prishtinë, ku edhe po vazhdon protesta, ka dhënë ide se si kryeministri Albin Kurti “mund të tregohet lider i përmasve të mëdha”. Ai konsideron se Kurti nesër mund ta thërrasë LDK-në dhe “tu thotë që mund ta votojë cilindo kandidat për president”. “Nuk i kushton asgjë që t’i thotë PDK-së dhe AAK-së e votojmë ligjin për specialen”, vijon ai.
Maliqi, gjithashtu thotë se kryeministrit Kurti “Nuk i kushton asgjë që nesër ta mbajë një fjalim në kuvend ku thotë se “është e papranueshme që mes vete te rrahen veterani me veteranin, njëri polic e tjetri protestues.”
Reagimi i tij i plotë:
Në këtë situatë Albin Kurti e ka rastin ideal me u tregu shtetar, shërues dhe lider i përmasave të mëdha. I takon atij që është në pozitën e të fortit që në momentet e thyerjeve të mëdha të sillet si më i rrituri, dhe jo si fëmija që drejton gishta dhe mundohet ta poshtërojë palën e dobësuar.
Nuk i kushton asgjë, për shembull, që nesër ta thërrasë LDK-në dhe t’u thotë “ua votoj cilindo kandidat që e propozoni për president e për të cilin i jepni të gjitha votat, sepse fundja do na bënte mirë pak balanc institucional.” Nuk i kushton asgjë që t’i thotë PDK-së dhe AAK-së e votojmë ligjin për specialen, kemi rezerva për zbatimin, por hajde shkojmë bashkë dhe e diskutojmë këtë punë me BE-në me forcën e shtetit prapa. Nuk i kushton asgjë që nesër ta mbajë një fjalim në kuvend ku thotë se “është e papranueshme që mes vete te rrahen veterani me veteranin, njëri polic e tjetri protestues.”
Një lider i përmasave të mëdha, në këto rrethana prin duke e shtensionuar mllefin, projekton fuqi përmes maturisë, siguron stabilitet institucional dhe i jep fund një agonie dyvjeçare të krizave, dhe kështu madje e fiton edhe respektin e kritikëve, e qe besa edhe e rritë votën si lider i përgjegjshëm.
E gjithë kjo natyrisht nuk ka për të ndodhur, sepse prioriteti nuk është me i pri vendit, por me ua palu të tjerëve.






