Kryetari i Mitrovicës si dhe i Partisë Guxo, Faton Peci, i ka bërë thirrje LDK-së, siç thotë ai për reflektim dhe angazhim të përbashkët për zgjedhjen e presidentit/es së Kosovës, duke theksuar se kanë mbetur vetëm 24 orë për tejkalimin e situatës aktuale.
Peci ka thënë se zgjedhja e presidentit/es do t’i kompletonte institucionet e larta të vendit dhe do të krijonte stabilitet institucional në një periudhë sfiduese.
“Ta dëshmojmë se e duam Kosovën”, ka shkruar Peci, duke kërkuar bashkëpunim dhe kompromis politik.
Ai ka theksuar se stabiliteti institucional është i nevojshëm edhe për përballjen me sfidat që lidhen me procesin e drejtësisë dhe shkallën e Apelit në Hagë.
“Për Kosovën ia vlen kompromisi, ia vlen tejkalimi i vetvetes, ia vlen marrëveshja. Për Kosovën ia vlen gjithçka”, ka përfunduar ai. /Gazeta Express
Postimi i plotë:
Ta dëshmojmë se e duam Kosovën. Duke parë ngjarjet aktuale dhe duke pasur parasysh se kemi vetëm edhe 24 orë për ta zgjedhur Presidentin/-en e Kosovës, si Kryetar i Partisë Guxo i bëj thirrje LDK-së për reflektim e angazhim të përbashkët me qëllim të tejkalimit të kësaj situate.
Zgjedhja e Presidentit/-es jo vetëm se do t’i kompletonte institucionet tona të larta, por edhe do të krijonte stabilitet në këto kohë sfiduese.
E vetëm me stabilitet institucional do të jemi të gatshëm të përballemi me sfidat që na presin, edhe me ato që lidhen me procesin e drejtësisë e të shkallës së Apelit në Hagë.
Të punojmë së bashku, të japim maksimumin që të tejkalojmë ditët e vështira që po kalon Kosova. T’ua dëshmojmë të gjithëve, po edhe vetes sonë e njëri-tjetrit, se e duam Kosovën, vendin tonë të bekuar.
Për Kosovën ia vlen kompromisi, ia vlen tejkalimi i vetvetes, ia vlen marrëveshja.Për Kosovën ia vlen gjithçka.






