Dogana e Kosovës ka sekuestruar gjithsej 2,559 pako barnash pa banderola të Republikës së Kosovës, gjatë një kontrolli në një subjekt farmaceutik dhe një shtëpi banimi në Prishtinë.
Sipas njoftimit të Doganës, gjatë kontrollit në subjektin farmaceutik janë gjetur 2,161 pako barnash, të fshehura në një hapësirë të modifikuar në pjesën e tualetit. Barnat nuk kishin dokumentacion mbulues dhe as banderola të RKS-së.
Me autorizim të prokurorit, kontrolli ka vazhduar edhe në një shtëpi banimi të ndërlidhur me rastin, ku janë gjetur edhe 398 pako barnash të tjera pa banderola.
Vlera e përgjithshme doganore e mallit të sekuestruar arrin në 20,745.94 euro.
Dogana ka bërë të ditur se rasti po trajtohet në koordinim me prokurorin dhe institucionet përgjegjëse, ndërsa barnat janë sekuestruar dhe evidentuar sipas procedurave përkatëse.
Institucioni ka theksuar se do të vazhdojë angazhimin në luftimin e kontrabandës dhe tregtimit të paligjshëm të barnave, me synim mbrojtjen e shëndetit publik dhe interesave financiare të Kosovës.






