Dita e të Zhdukurve: Shqiptarët bëjnë homazhe para OKB-së në Gjenevë

- Advertisement -

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve me Forcë, sot në Gjenevë u mbajt “Marshi për Drejtësi”, një marshim paqësor para selisë së Kombeve të Bashkuara, në të cilin u përkujtuan viktimat e luftës dhe u përcoll një thirrje e fuqishme për drejtësi dhe zbardhjen e fatit të personave ende të pagjetur.

Aktiviteti, i organizuar nga shoqëria civile dhe organizata joqeveritare (OJQ), mblodhi pjesëtarë të komunitetit shqiptar në Zvicër, por edhe përfaqësues të komuniteteve të tjera të prekura nga luftërat dhe konfliktet, përfshirë atë nga Bosnja e Hercegovina, Ukraina, Palestina, Kili, Argjentina dhe vende të tjera të botës.

Pjesëmarrësit marshuan në shenjë solidariteti me familjet që prej vitesh presin përgjigje për fatin e të dashurve të tyre, duke kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar më shumë angazhim për zbardhjen e rasteve të personave të zhdukur dhe vendosjen e drejtësisë.

“1,579 rastet e mbetura të Kosovës janë pjesë e një tabloje shumë më të madhe globale”, u shpreh sot për gazetën zvicerane në gjuhën shqipe LeCanton27.ch, z. Tendayi Sengwe, shef i sektorit të komunikimit – EURASIA, duke vënë në pah dimensionin ndërkombëtar të çështjes së personave të zhdukur.

Në kuadër të “Marshit për Drejtësi” morën pjesë dhe adresuan mesazhe të ndryshme edhe personalitete nga institucionet e Kosovës dhe të Gjenevës, ndër ta:

Dilara Bayrak, kryetare e Parlamentit të Republikës së Gjenevës;

Andin Hoti, ministër në Qeverinë e Republikës së Kosovës;

Christina Kitsos, kryetare e Qytetit të Gjenevës;

Atdhe Hetemi, drejtor i Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë;

Remy Pagani, ish-kryetar i Qytetit të Gjenevës.

Në aktivitet folën dhe pritet të përcjellin dëshmitë e tyre edhe përfaqësues të komuniteteve të prekura nga konfliktet në mbarë botën, ndër ta Iryna Parfeniuk nga Ukraina dhe Rania Madi nga Palestina.

Marshi u shndërrua kështu në një hapësirë të përbashkët kujtese dhe solidariteti, ku dhimbja e familjeve të të zhdukurve nga Kosova u ndërthur me historitë e familjeve nga vende të ndryshme të botës që vazhdojnë të kërkojnë përgjigje.

Në mesin e pjesëmarrësve ishin edhe veprimtarë dhe aktivistë të njohur shqiptarë në Zvicër, përfshirë Bardhyl Mahmutin, Ramadan Avdiun, Kushtrim Garën, Shafake Ramadanin, Merita Ajdinin dhe shumë pjesëmarrës të tjerë.

Të ngjashme

Të fundit