28.7 C
New York
Saturday, July 27, 2024

Buy now

“Diplomaci e korruptuar”, “po dëmton imazhin”: Kërkohet shkarkimi urgjent i ambasadorit Berishaj

- Advertisement -

Opozita ka kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të tij.

Zyrtarët e partive opozitare kanë vlerësuar se mbajtja e pozitave të larta në diplomaci nga njerëzit që intervistohet për shpëlarje parash e vepra tjera penale e dëmtojnë imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musli-Shoshi, ka bërë me dije se mosshkarkimi i ambasadorit Berishaj flet për një diplomaci të korruptuar.

Anëtarja e Komisionin për Politikë të Jashtme ka theksuar se Berishaj nuk e ka vendin në diplomaci.
“Martin Berisha është dashur të shkarkohet, që të ruhet imazhi i shtetit tonë. Imazhi i tillë i ambasadorëve duke u intervistuar nga prokuroria speciale e duke qenë në detyrë, flet për diplomaci jo kredibile dhe të korruptuar. Kjo nuk i duhet Kosovës! Martini s’e ka vendin në diplomaci, por në institucionet ku jepet përgjegjësi për drejtësi”, ka shkruar Musliu-Shoshi në profilin e saj në “Facebook”.

Edhe anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, ka kërkuar shkarkimin e ambasadorit Berishaj, i cili sot gjatë terë ditës është intervistuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Ai ka bërë me dije se ambasadori në fjalë është dashur të jap dorëheqje ose të shkarkohej më herët.

“Ambasadori s’duhej të ishte moti në detyrë. Duhej të tërhiqej vetë, ose ta tërhiqnin. Shkarkimi i tij do të ishte gjëja më normale. Pandehmat për të janë shumë serioze: për korrupsion masiv. Regjimi i ri i VV-së në Kosovë i dha shtetësi për shpejt Berishajt për ta emëruar në detyrën e Ambasadorit të Kosovës në Kroaci. Regjimi e ka mbrojtur deri tani për ta mbrojtur veten, me sa duket”, ka shkruar Hamiti në profilin e tij në “Facebook”.

Ndërsa, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka akuzuar Berishajn për sekser të energjisë.

Në një video të postuar në profilin e tij në “Facebook”, ai ka thënë se për këtë ambasadori kishte marrë plot 1.5 milionë euro para në Prishtinë.

“Njeriu që ka marr të gjithë mbrojtjen e të gjithë Qeverisë po intervistohet sot nga ora 8 e mëngjesit në Prokurori Speciale. Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj ishte ndërmjetësues në blerjen e energjisë, për këtë kishte marr plot 1.5 milionë euro para këtu në Prishtinë”, ka deklaruar Abdixhiku.

Dyshohet për tri vepra penale

Prokuroria Speciale e Kosovës ka treguar veprat për të cilat është intervistuar sot ambasadorit i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Përmes një njoftimi për media, prokuroria ka bërë me dije se Berishajt sot është intervistuar si i dyshuar për veprat penale “Shpërlarje e parave”, “Shmangie nga tatimi” dhe “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare.”

“Pas interesimit të mediave, Prokuroria Speciale njofton opinionin publik se ambasadori, i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është intervistuar sot me ftesë të Prokurorisë Speciale, me dyshimet për veprat penale ‘’Shpëlarja e parave’’, ‘’Shmangia nga tatimi’’ dhe ‘’Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare.”, është thënë në njoftimin e prokurorisë.

Prokuroria Speciale ka treguar se edhe më parë kishin ftuar Berishajn për intervistim por që i njëjti kishte kërkuar shtyrje të intervistimit.

“Po ashtu, ju njoftojmë se ambasadori Martin Berishaj, edhe më herët është ftuar për intervistim, por vet Berisha kishte kërkuar nga Prokuroria Speciale që të shtyhet intervistimi, për shkak të angazhimit të tij si ambasador.” – thuhet në përfundim të njoftimit.

Pas intervistimit është deklaruar edhe avokati i Berishajt, Tomë Gashi.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se deklarata e klientit të tij është konfidenciale dhe nuk mund të jep detaje.

“Te dashura gazetare, Martin Berishaj qysh me 27.01.2023 ka paraqit kerkese per te dhene deklarate sqaruese ne Prokurorine Speciale te Republikes se Kosoves lidhur me pretendimet qe kan dale ne media. Martini tashme ka dhene deklarate ne PSRK. Deklarata e tije eshte konfidenciale . Une per shkak te kesaj situate si avokat i Martinit nuk munde te ju them asgje per permbajtjen e kesaj deklarate. Shoke e shoqe ju uroj gezuar Pashket e vikend te mire.”, ka shkruar Gashi.

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, sot gjatë terë ditës është intervistuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Gazeta Nacionale ka raportuar se që nga ora 8:30 e mëngjesit Berishaj është paraqitur në prokuroria.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit