Opionionistja Aida Dërguti, ka komentuar situatën në Kosovë, pas aktgjykimin dënuar në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Në transmetimin special në Klan Kosova, kushtuar zhvillimeve të sotme, Dërguti ka thënë se në mesin e veprimeve të para që do të duhej të merreshin është shkarkimi i ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla.
“Do duhej kërkuar shkarkimi i Gërvallës automatikisht. Përtej deklaratave anti-UÇK-së që i ka pasur gjatë gjithë kohë, qëndrimi i saj në krye të Ministrisë së Drejtësisë, e cila me veprim ose mosveprim na ka sjellë në këtë rezultat dhe nuk po them që ajo mund ta zhbënte, ose diçka, por do të duhej ajo të ishte e para e informuar.”, ka thënë Dërguti.
Ajo ka kritikuar në përgjithësi Qeverinë Kurti se nuk ka bërë asgjë sa i përket ofrimit të mbështetjes për ish-krerët e UÇK-së.
“Qeveria Kurti nuk ka bërë asgjë. As Albulena Haxhiu nuk ka bërë asgjë. Në kohën kur ka qenë ajo minister, janë zvogëluar fondet për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së.”, ka thënë Dërguti.
Ish-deputetja ka thënë se mbetet të shihet nëse deputetët do të mund të veprojnë, pasi sipas saj, ata i kanë mandatet e djegura.
“Vendi gjendet në një kaos total. Qytetarët janë mbledhur në vendin e duhur, para institucioneve tona, ku duhet kërkuar llogari e përgjegjësi dhe ku duhet të drejtohen për veprime të mëtejme. Nuk e di. Tash duhet analizuar mirë. Ne kemi një Kuvend me mandate të djegura. Mendoj se është problematike, nëse Kuvendi ta zëmë merr një vendim, ai mund të kontestohet. Kërkesa për zhbërje është e drejtë. Sidoqoftë, këta i kanë mandatet e djegura. Gjithë ajo lojë që u bë, duke ditur që në shtator pritet verdikti, dikush që është vizionar, po që se do ta kishte me sinqeritet do ta kishte konstituuar Kuvendin, që ai t’i ketë mandatet e plotfuqishme. Por, sidoqoftë le të shihet se si mund të ecet tutje.”, ka thënë ajo.
Pavarësisht këtyre rrethanave, Dërguti ka thënë se veprimet duhet të jenë të shpejta.






