-4.7 C
New York
Thursday, January 9, 2025

Buy now

Departamenti i Drejtësisë do të publikojë raportin e Prokurorit Smith për ndërhyrjen në zgjedhje

- Advertisement -

Departamenti i Drejtësisë thotë se do të publikojë përfundimet e Prokurorit të Posaçëm Jack Smith lidhur me përpjekjet e Presidentit të zgjedhur Donald Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, por jo pjesën tjetër të raportit për momentin.

Ky vendim u bë i njohur në një dokument dorëzuar të mërkurën në një gjykatë federale të apelit, e cila po shqyrton një kërkesë të avokatëve mbrojtës për të bllokuar publikimin e raportit me dy vëllime, ndërsa mbetet pezull çështja e akuzave ndaj dy të pandehurve të tjerë, në çështjen kur akuzohej ish-presidenti republikan dhe tashmë Presidenti i zgjedhur për marrjen e paligjshme të dokumenteve të klasifikuara, raporton VOA.

Aileen Cannon, gjyqtarja e çështjes së dokumenteve të klasifikuara, e emëruar nga Trump, e pranoi kërkesën të martën, duke lëshuar një bllokim të përkohshëm për raportin.

Departamenti i Drejtësisë tha se do të vazhdojë me planet për të publikuar pjesën e raportit për çështjen e ndërhyrjes në zgjedhje, por pjesën për dokumentet e klasifikuara të raportit do ta vërë në dispozicion vetëm për kryetarët dhe nënkryetarët e Komisioneve Juridike të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit, përsa kohë vazhdon çështja për dy të pandehurit e tjerë.

Nuk është ende e qartë se kur mund të publikohet pjesa e raportit për ndërhyrjen në zgjedhje.

Në dokument i kërkohet Gjykatës së Apelit në Atlanta që të anulojë urdhrin e gjykatëses Cannon, që dukej se të paktën përkohësisht ndaloi publikimin e të gjithë raportit.

Departamenti i Drejtësisë tha se autoriteti i Prokurorit të Përgjithshëm për të publikuar pjesën e raportit të Prokurorit të Posaçëm Smith për ndërhyrjen në zgjedhje është “i qartë” dhe se të pandehurit e tjerë të çështjes së dokumenteve të klasifikuara, dy punonjës të Mar-a-Lagos. nuk kanë asnjë argument ligjor për të bllokuar publikimin e një pjese të raportit që nuk ka lidhje fare me ta.

Raporti pritej të detajonte gjetjet dhe vendimet e akuzave në dy hetimet e Smithit. Hetimi për dokumentet e klasifikuara u hodh poshtë në korrik nga gjykatësja Cannon, e cila arriti në përfundimin se emërimi i Smith ishte i paligjshëm.

Ekipi i Prokurorit Smith vendosi t’i pushojë të dyja rastet në nëntor, pas fitores së Trumpit, duke iu referuar një praktike të hershme të Departamentit të Drejtësisë, sipas së cilës, presidentët që janë duke ushtruar detyrën, nuk mund të jenë subjekt i hetimeve federale. /VOA/

Të ngjashme

122,026FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit